Arrestohet në aeroportin e Milanos shqiptari i kërkuar për tentativë vrasjeje, i gjendet edhe armë

Sipas autoriteteve italiane, ndaj shqiptarit rëndonin akuza të shumta, përfshirë tentativë vrasjeje, mbajtje të paligjshme arme dhe posedim mallrash të vjedhura. Hetimet ndaj tij nisën pas një episodi më 13 prill, kur ai tentoi t’i shmangej kontrollit policor duke u larguar me vrap.

30.04.2026. 10:58

Arrestohet në aeroportin e Milanos shqiptari i kërkuar për tentativë vrasjeje, i gjendet edhe armë

Një 36-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, është arrestuar nga policia kufitare italiane në aeroportin Malpensa të Milanos, pas një operacioni të koordinuar që zbuloi edhe armë, pajisje të dyshuara për vjedhje dhe targa të falsifikuara.

Sipas autoriteteve italiane, ndaj shqiptarit rëndonin akuza të shumta, përfshirë tentativë vrasjeje, mbajtje të paligjshme arme dhe posedim mallrash të vjedhura. Hetimet ndaj tij nisën pas një episodi më 13 prill, kur ai tentoi t’i shmangej kontrollit policor duke u larguar me vrap sapo konstatoi praninë e patrullës.

I dyshuari u përpoq të humbiste gjurmët mes pasagjerëve në aeroport, duke ndërruar edhe veshjen, përpara se të largohej me automjet. Megjithatë, falë analizës së kamerave të sigurisë, bazave të të dhënave policore dhe teknologjisë së njohjes së fytyrës, autoritetet arritën ta identifikonin dhe lokalizonin.

Policia zbuloi se 36-vjeçari kishte edhe një dënim të mëparshëm prej një viti e një muaji burg, ndërsa ishte nën hetim edhe për vepra të tjera penale. Ai u arrestua në momentin kur po priste në zonën e mbërritjeve takimin me një grua dhe një fëmijë, të cilët kishin mbërritur nga Bakuja.

Gjatë kontrollit personal dhe në automjetin e tij, efektivët sekuestruan një armë zjarri Beretta kalibër 7.65 mm me numër serial të fshirë, karikator me fishekë dhe një fishek të vendosur në tytë. Po ashtu, u gjetën pajisje elektronike, GPS, telefona celularë, mjete të dyshuara për aktivitete kriminale dhe dy palë targa të falsifikuara.

Njëra prej targave dyshohet se lidhet me një tentativë grabitjeje në zonën e Cuneo-s. Në përfundim të operacionit, shqiptari u dërgua në burgun e Busto Arsizio, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të mëtejshme gjyqësore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)