Reshjet shkaktojnë përmbytje edhe në Qeparo, uji pushton rrugët dhe banesat

Uji ka vërshuar në fshatin bregdetar, pasi përrenjtë kanë dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha.

06.02.2026. 15:45

Reshjet shkaktojnë përmbytje edhe në Qeparo, uji pushton rrugët dhe banesat

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në jug të vendit. Ndërsa në Himarë janë regjistruar përmbytje të disa rrugëve, më serioze u paraqit situata në Qeparo.

Uji ka vërshuar në rrugët dhe në shtëpitë e fshatit bregdetar, pasi përrenjtë kanë dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha. Më e vështirë gjendja është paraqitur në lagjen “Valta”. Imazhet u shpërndanë nga kreu i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo.

Sipas tij, “intensiteti i lartë i reshjeve, në një kohë shumë të shkurtër, e bëri të pamenaxhueshme gjendjen dhe përballimin e ujit nga infrastruktura kulluese”. “Jemi të gjithë në krye të detyrës për të punuar në normalizimin e gjendjes, riparuar dhe ç’bllokuar kanalet nga dheu dhe materialet inerte që kanë sjellë vërshimi i përrenjve”, deklaroi kryebashkiaku Tavo.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)