Kontrolli i Burgjeve do të kthehet në Agjenci, sipas projektligjit të ri të paraqitur në Kuvend. Vetë ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka paraqitur në komisionin e Ligjeve nismën duke u shprehur se është një mjet modern për mbikqyrjen penale.
Në projektligj, një theks i veçantë i jepet veprimtarisë informative gjurmuese, e cila do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e udhëzimeve të përbashkëta ndërinstitucionale, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore. Projektligji parashikon mekanizma shtesë për mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin përkatës, si dhe kërkesën për autorizim nga prokurori përpara marrjes së të dhënave nga punonjësit operacionalë, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm.
Gjithashtu, u riformuluan dispozita që lidhen me emërimin dhe lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm, duke forcuar balancën institucionale mes ministrit dhe Kryeministrit, si dhe u vendosën kritere më të qarta për transferimet, komandimet dhe ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.
Në përfundim të diskutimeve, projektligji u miratua në parim dhe vijoi shqyrtimi nen për nen, me reflektimin e të gjitha ndryshimeve të dakordësuara, për t’iu paraqitur më pas seancës plenare për votim. Ministri Lamallari theksoi se kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të një sistemi të sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm të ekzekutimit të vendimeve penale, në shërbim të shtetit të së drejtës dhe besimit të qytetarëve tek institucionet.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)