“Garda Revolucionare Islamike të shpallet organizatë terroriste”, Rama: Shqipëria do të veprojë

Mbështetje e plotë për çdo përpjekje që synon të parandalojë regjimin e Teheranit nga sigurimi i armëve bërthamore apo kapaciteteve të tjera ushtarake, që kërcënojnë paqen në Lindjen e Mesme.

28.02.2026. 13:33

“Garda Revolucionare Islamike të shpallet organizatë terroriste”, Rama: Shqipëria do të veprojë

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje publike që trupat e Gardës Revolucionare Islamike të shpallen zyrtarisht organizatë terroriste, duke theksuar se Shqipëria do të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim. Në një reagim të publikuar në rrjetin social “X”, ai deklaroi se ka ardhur momenti “ta quajmë me emrin e vërtetë” këtë strukturë dhe për ta përfshirë në listën e organizatave terroriste, ashtu siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

“Garda Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste dhe duhet trajtuar si e tillë”, shkruante Rama, duke shtuar se kjo nuk lidhet vetëm me qëndrimin e Shqipërisë në krah të Izraelit dhe vendeve arabe që kërkojnë paqe, apo me mbështetjen ndaj SHBA-së. Kreu i qeverisë thekson se Shqipëria ka përjetuar drejtpërdrejt agresionin e regjimit të Teheranit përmes sulmeve kibernetike ndaj vendit tonë. “Për ne kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore”, nënvizoi kryeministri.

Rama bën të ditur se Shqipëria do ta shpallë zyrtarisht Gardën Revolucionare si organizatë terroriste dhe u bën thirrje vendeve të Bashkimit Europian të ndjekin të njëjtën rrugë. “Terrorizmi duhet të quhet me emrin e tij. Dhe sapo të quhet, duhet të ndalet”, tha ai.

Në përfundim, Rama shprehu mbështetje të plotë për çdo përpjekje vendimtare që synon të parandalojë regjimin e Teheranit nga sigurimi i armëve bërthamore apo kapaciteteve të tjera ushtarake, që mund të kërcënojnë Izraelin ose vende të tjera paqedashëse në Lindjen e Mesme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)