Zhvendosen mbetjet toksike në Durrës, 102 kontejnerët largohen nga Porto Romano

Këto mbetje kanë origjinë nga proceset e përpunimit të çelikut në Metalurgjiku i Elbasanit dhe u eksportuan nga kompania “Sokolaj” drejt Malajzisë, por u kthyen pas një denoncimi nga organizata ndërkombëtare Basel Action Network.

29.03.2026. 13:40

Zhvendosen mbetjet toksike në Durrës, 102 kontejnerët largohen nga Porto Romano

Pas më shumë se një viti qëndrimi në zonën e Porto Romano, 102 kontejnerët me mbetje toksike të kompanisë Kurum International janë zhvendosur këtë të diel drejt një ambienti tjetër në zonën e Spitallës.

Vendimi për lëvizjen e tyre është marrë me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, ndërsa operacioni është realizuar nën masa të rrepta sigurie. Transporti është kryer nga Policia e Durrësit, ndërkohë që Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka siguruar kushtet për ruajtjen në vendin e ri.

Zhvendosja erdhi edhe si pasojë e presionit të vazhdueshëm nga banorët e zonës, të cilët prej kohësh kërkonin largimin e mbetjeve nga Porto Romano, për shkak të frikës nga ndotja dhe rreziku për shëndetin.

Bëhet fjalë për rreth 2800 ton mbetje industriale, të cilat sipas analizave laboratorike të kryera në Itali janë klasifikuar si toksike dhe të rrezikshme për njeriun dhe mjedisin. Mbetjet përmbajnë nivele të larta zinku dhe hekuri, si dhe elementë të tjerë të rrezikshëm që mund të ndikojnë në ujë dhe në shëndetin riprodhues.

Këto mbetje kanë origjinë nga proceset e përpunimit të çelikut në Metalurgjiku i Elbasanit dhe u eksportuan nga kompania “Sokolaj” drejt Malajzisë, por u kthyen pas një denoncimi nga organizata ndërkombëtare Basel Action Network.

Pas kthimit në Shqipëri në fund të vitit 2024, kontejnerët u vendosën në Porto Romano, ku qëndruan nën monitorim të vazhdueshëm.

Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Durrësit kanë çuar në 33 urdhër-arreste, duke përfshirë drejtues të kompanive të përfshira dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore. Akuzat variojnë nga ndotja e mjedisit dhe kontrabanda, deri te falsifikimi i dokumenteve dhe shpërdorimi i detyrës.

Megjithatë, edhe në vendin e ri në Spitallë, mbetjet mbeten të ekspozuara ndaj kushteve atmosferike, ndërsa ende nuk ka një vendim përfundimtar për trajtimin apo asgjësimin e tyre.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)