Pas debatit të krijuar nga deklaratat e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mbi të ardhmen e marrëveshjes Shqipëri-Itali për qendrën e pritjes së emigrantëve në Gjadër, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili ka theksuar se protokolli mes dy vendeve do të mbetet në fuqi për sa kohë që Italia do ta konsiderojë të nevojshëm.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Rama u shpreh se raportimet mbi deklaratat e ministrit janë interpretuar gabim dhe ritheksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për marrëveshjen.
“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, të cilët po kontaktojnë lidhur me një citim të shtrembëruar të raportuar nga një media pas një interviste me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë: Më lejoni ta ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë”, shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit erdhi pasi ministri Ferit Hoxha, në një intervistë për Euractiv, u pyet mbi mundësinë e rinovimit të marrëveshjes pas afatit fillestar pesëvjeçar. Në raportimin e medias u interpretua se pakti nuk do të zgjatet pas vitit 2030, duke nxitur reagime dhe debat publik.
Pas polemikave, vetë ministri Hoxha sqaroi se deklarata e tij ishte nxjerrë nga konteksti dhe nuk përfaqësonte një ndryshim të qëndrimit të Shqipërisë ndaj marrëveshjes me Italinë.
“Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare. Unë iu përgjigja duke thënë: ‘Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe’”, sqaroi Hoxha.
Sipas tij, kjo përgjigje ishte “thjesht një reflektim i çastit, i shprehur me sinqeritet dhe spontanitet”, dhe jo një qëndrim zyrtar mbi fatin e marrëveshjes.
“Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin. Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti. Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive”, shkroi kryediplomati i Tiranës në rrjetet sociale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)