Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të nisë sa më shpejt projektin për ndërtimin e një impianti të përpunimit të naftës, duke e cilësuar atë si një nga masat më efektive për përballimin e pasojave ekonomike që mund të vijnë nga tensionet dhe lufta në Gjirin Persik.
Përmes një komunikate për shtyp, Konfindustria kërkon që projekti të përfshihet menjëherë në Buxhetin e vitit 2026, duke propozuar ndryshimin e tij për ta konsideruar ndërtimin e impiantit si një investim strategjik shtetëror.
Sipas Konfindustrisë, çmimi i naftës në tregun vendas po i afrohet kufirit të 200 lekëve për litër dhe ekziston rreziku që të kalojë nivelin e 250 lekëve për litër, të shënuar në vitin 2022 pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Njoftimi i Konfindustrisë
Konfindustria i kërkon qeverisë të fillojë sa më shpejt projektin e ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare, si mënyra më efektive për përballimin e pasojave të paparashikuara ekonomike dhe sigurisë kombëtare nga lufta në Gjirin Persik.
Në këtë rast kërkohet, që të ndryshojë Buxheti 2026, me qëllim përfshirjen e shpejtë të ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare në vend si investim shtetëror. Gjithashtu, kërkohet të përmirësohet thelbësisht organizimi i prodhimit, tregëtimit, ngarkesës fiskale dhe monopolizimit të sotëm të gjithë tregut të hidrokarbureve.
Është krejtësisht e papranueshme, që Shqipëria si vend zotërues i rezervave të mëdha të naftës, të jetë në varësi të plotë të importeve dhe lëvizjeve të cmimeve të tregjeve botërore. Çmimi i naftës në tregun shqiptar po arrin në kufirin e 200 lekë/litër dhe parashikohet, që shpejt të rrezikojë tejkalojë kufirin e 250 lekë/litër të vendosur në vitin 2022 në rastin e fillimit të luftës në Ukrainë.
Ndërtimi i impiantit shqiptar të përpunimit të naftës vendore është mjeti më efektiv i përhershëm për të lehtësuar pasojat shkatërruese ekonomike dhe financiare nga furnizimet dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)