Shqipëria ruan vlerësimin “BB” nga Standard & Poor's, ekonomia vijon rritjen e qëndrueshme

Ekonomia shqiptare pritet të vijojë trajektoren pozitive të rritjes, pasi parashikimet tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rritet me rreth 3.7% në vitin 2025 dhe mbi 3% në vitet pasuese.

24.03.2026. 18:33

Shqipëria ruan vlerësimin “BB” nga Standard & Poor's, ekonomia vijon rritjen e qëndrueshme

Shqipëria ka ruajtur të pandryshuar vlerësimin sovran “BB” me perspektivë të qëndrueshme nga agjencia ndërkombëtare Standard & Poor's, duke konfirmuar rezistencën e ekonomisë përballë krizave të viteve të fundit.

Sipas Ministrisë së Financave, raporti i publikuar së fundmi vlerëson se vendi ka përballuar me sukses goditje të forta si tërmeti i vitit 2019, pandemia globale dhe kriza energjetike, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.

Ekonomia shqiptare pritet të vijojë trajektoren pozitive të rritjes, pasi parashikimet tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rritet me rreth 3.7% në vitin 2025 dhe mbi 3% në vitet pasuese. Një rol kyç në këtë ecuri luan sektori i turizmit, i cili vazhdon të jetë motori kryesor i ekonomisë, duke ndikuar edhe në uljen graduale të deficitit të jashtëm.

Nga ana fiskale, perspektiva mbetet e kontrolluar. Deficiti buxhetor parashikohet të zbresë në rreth 2.4% të PBB-së në vitin 2026 dhe të stabilizohet pranë nivelit 2% në afatmesëm.

Paralelisht, edhe borxhi publik pritet të vijojë rënien, duke arritur rreth 50% të PBB-së.

Raporti evidenton gjithashtu përparimin në procesin e integrimit europian, sepse hapja e kapitujve negociues me Bashkimi Europian konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për të ardhmen ekonomike të vendit.

Në sektorin financiar, rezervat valutore kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke arritur në 8.7 miliardë dollarë në janar 2026. Kjo rritje është mbështetur nga të ardhurat nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte.

Ndërkohë, sistemi bankar paraqitet i qëndrueshëm, me nivel të ulët të kredive me probleme dhe rritje të vazhdueshme të kreditimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)