Altin Ndoci, i akuzuar për vrasjen e 4 personave dhe i arrestuar nga SPAK, është arratisur nga spitali infektiv i Durrësit këtë të martë, aty ku ndodhej prej 2 ditësh për mjekim.
Altin Ndocin, 34 vjeç, me origjinë nga Puka dhe banues në Tiranë, është një emër i njohur për drejtësinë, i përfshirë ndër vite në një sërë hetimesh për trafik droge, grabitje me armë dhe vrasje të ndodhura kryesisht në Durrës dhe Fier. Ai doli në vëmendje të publikut pas dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili e implikoi në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, si edhe në ekzekutimin e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në mars të vitit 2020.
Sipas policisë, Ndoci ka lidhje të forta me grupe kriminale të zonës së Pukës dhe kontakte të ngushta me persona të përfshirë në krime të rënda.
Gjatë hetimeve ndaj tij janë sekuestruar automjete, gjurmë gishtash dhe prova biologjike që e lidhin me disa ngjarje të dhunshme. Policia ka ngritur postblloqe dhe po vijon kërkimet për kapjen e tij.
Reagon Drejtoria e Burgjeve
Drejtoria e Burgjeve ka reaguar për arratisjen e të burgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në deklaratën për mediat.
Ndoci u arrestua në vitin 2020 i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, po në Durrës. Ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)