Tension në seancën për Veliajn, kryebashkiaku kërkon përjashtimin e gjyqtares dhe braktis sallën

Në seancën e radhës paraprake në GJKKO, Erion Veliaj ka pretenduar se avokatja Valentina Teodoresku nuk i garanton mbrojtje efektive sepse nuk e njeh dosjen dhe po ashtu ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda nga çështja në ngarkim të tij.

02.02.2026. 13:53

Tension në seancën për Veliajn, kryebashkiaku kërkon përjashtimin e gjyqtares dhe braktis sallën

Një ditë pasi në GJKKO i rrëzuan kërkesën për zëvendësimin e “arrestit me burg” në një masë më të butë sigurie, Erion Veliaj udhëtoi sërish nga paraburgimi i Durrësit për të marrë pjesë në seancën e radhës paraprake për të në Gjykatën e Posaçme.

Kjo seancën e zhvilluar paraditen e sotme në GJKKO u shoqëruar me debate mes palëve, kërkesa për shtyrje dhe largimin e Veliajt nga salla e gjyqit në shenjë proteste.

Gjatë seancës, avokatja e caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku, kërkoi sërish kohë për t’u njohur me aktet e dosjes hetimore, duke argumentuar se nuk ka pasur mundësi reale të konsultohet plotësisht me klientin e saj, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit.

Ndërkohë, avokati i zgjedhur nga Veliaj, Artan Gjermeni, ngriti shqetësimin se gjykata duhej të sqaronte se kush do të paraqiste konkluzionet përfundimtare, ai apo avokatja e caktuar kryesisht, duke theksuar se sipas procedurës ai është i detyruar të paraqitet në seancë deri në marrjen e plotë të funksioneve nga avokatja Teodoresku.

Pas debateve, prokuroria kërkoi kalimin në konkluzionet përfundimtare. Në këtë moment, avokati Gjermeni u largua nga salla, ndërsa menjëherë pas tij u largua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, me pretendimin se nuk i ishte garantuar e drejta për një mbrojtje efektive. Veliaj kërkoi gjithashtu përjashtimin e trupit gjykues dhe të avokates së caktuar kryesisht.

Nga ana e saj, avokatja Valentina Teodoresku sqaroi se vështirësitë për njohjen me dosjen lidhen edhe me kushtet logjistike dhe mungesën e mjeteve për konsultimin e dokumenteve voluminoze.

“Unë kërkova shtyrjen e seancës sepse kam shkuar dy herë në paraburgim. Një herë zoti Veliaj ishte i sëmurë dhe po merrte serum, herën tjetër u takuam, por nuk arritëm t’i përfundonim të gjitha. Nuk vendosëm se çfarë do të thonim. Kërkesa për shtyrje është e drejta ime”, u shpreh Teodoresku për mediat.

Ajo shtoi se ka shpenzuar mjete personale për transportin drejt paraburgimit të Durrësit, duke nënvizuar se kushtet e punës për avokatët e caktuar kryesisht janë të papërshtatshme.

“Nuk kam mjet transporti, kam marrë taksi dhe kam paguar dy herë, rreth 80 mijë lekë. Unë më shumë kam dhënë sesa kam marrë. Këtë duhet ta ketë parasysh gjykata, pasi ne nuk paguhemi siç duhet”, tha avokatja.

Teodoresku theksoi gjithashtu se i ka kërkuar gjykatës që Veliaj të pajiset me mjete për t’u njohur me dosjen hetimore. “I kërkova gjykatës ta pajisë zotin Veliaj me një laptop pa internet dhe një USB, që të njihet me dokumentet. Nuk mund t’ia them 60 mijë faqe përmendësh”, deklaroi ajo.

Pavarësisht largimit të Veliajt nga salla, gjyqtarja Etleva Deda vijoi seancën dhe kaloi në konkluzionet përfundimtare për të pandehurit e tjerë. Seanca u mbyll pasi palët përfunduan dhënien e konkluzioneve.

Seanca e radhës është caktuar më 9 shkurt, ora 12:00, ku pritet të vendoset nëse çështja do të kalojë për gjykim.

Më 9 shkurt, përveç vendimit nëse çështja e Veliajt do të kalojë ose jo për gjykim, pritet të shqyrtohet edhe kërkesa e tij për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda. Në rast pranimi, kërkesa do të shqyrtohet nga një gjyqtare tjetër.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)