Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 20 vitesh për vepra të rënda penale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, është arrestuar në Spanjë falë një operacioni të koordinuar mes autoriteteve italiane dhe atyre spanjolle.
Arrestimi u realizua pas një bashkëpunimi të zgjeruar policor ndërkombëtar, ku u përfshinë Karabinierët e Provincës së Fermos, strukturat e policisë spanjolle dhe shërbimet për bashkëpunim policor në nivel evropian. Operacioni erdhi si rezultat i një pune të gjatë hetimore dhe shkëmbimi informacioni mes vendeve partnere.
Shtetasi shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije ishte i dënuar nga drejtësia italiane dhe kërkohej për ekzekutimin e një dënimi të mbetur prej afro katër vitesh burg, si dhe për pagesën e një gjobe prej rreth 9 mijë eurosh. Ai ishte shpallur fajtor për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike, si dhe për posedim të paligjshëm të municioneve.
Autoritetet kishin gjurmuar lëvizjet e tij përmes rrjeteve ndërkombëtare të policisë, duke zbuluar fillimisht praninë e tij në Shqipëri, në zonën e Durrësit, dhe më pas në territorin spanjoll.
Aktualisht, i arrestuari ndodhet në dispozicion të Gjykatës Qendrore Kombëtare të Madridit, ku pritet të zhvillohen procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)