SPAK nxjerr provat në gjyq, Ilir Meta distancohet nga shpenzimet e Kryemadhit: Jemi të divorcuar!

Gjatë seancës, SPAK paraqiti prova nga dosja hetimore që, sipas akuzës, faktojnë përgjegjësitë e Metës dhe Kryemadhit për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, në lidhje me çështjen CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së në SHBA.

11.05.2026. 16:59

SPAK nxjerr provat në gjyq, Ilir Meta distancohet nga shpenzimet e Kryemadhit: Jemi të divorcuar!

Seanca e dytë gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, është shoqëruar me tensione dhe debate në sallën e Gjykatës së Posaçme, ku në qendër të diskutimeve ishte kërkesa për transmetim live të procesit dhe qëndrimi i Metës ndaj akuzave financiare që lidhen me Kryemadhin.

Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për transmetimin live të seancës, pavarësisht dakordësisë së palëve dhe interesit të mediave. Gjyqtarja Etleva Deda argumentoi se transmetimi i drejtpërdrejtë do të krijonte “presion publik dhe mediatik” mbi procesin.

Vendimi solli reagimin e avokatit të Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i cili kundërshtoi vendimin në sallë.

“Ky është procesi i vitit, mediat duhet ta transmetojnë live. Nuk duhet t’i ndalini mediat për transmetim live. Nuk keni asnjë bazë ligjore të ndërprisni transmetimin live të mediave”, deklaroi Cakrani.

Nga ana tjetër, gjyqtarja Deda u shpreh se lejimi i kamerave gjatë gjithë procesit do të ndikonte në klimën e gjykimit dhe do të ushtronte presion publik mbi palët.

Gjatë seancës, SPAK paraqiti prova nga dosja hetimore që, sipas akuzës, faktojnë përgjegjësitë e Metës dhe Kryemadhit për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, në lidhje me çështjen CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së në SHBA.

Në replikat me prokurorët, Ilir Meta u distancua nga shpenzimet që pretendohet se janë kryer nga Monika Kryemadhi, duke theksuar se përgjegjësia është individuale dhe se ai nuk ka pasur dijeni për veprimet e saj.

“Në respekt të gjykatës duhet të sqaroj se edhe në seancën paraprake zonja Gjoka e ka kuptuar këtë histori. Unë kam statusin ‘i divorcuar’. Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për çfarë ka bërë Kryemadhi në të kaluarën, pa dijeninë time. Përgjegjësia ime është individuale. Më trego një shpenzim që kam bërë unë. Edhe orën e kam para 20 vitesh. Nuk i kushtoj shumë rëndësi këtyre”, mësohet të ketë deklaruar Meta para trupit gjykues.

Në sallë ishte e pranishme edhe Monika Kryemadhi, e shoqëruar nga avokati i saj, ndërsa sipas raportimeve nuk pati asnjë kontakt apo shkëmbim mes ish-bashkëshortëve gjatë seancës.

Kryemadhi kërkoi që t’i vihen në dispozicion të gjitha përgjimet ambientale dhe telefonike të administruara nga SPAK, ndërsa gjyqtarja bëri me dije se çdo material i ardhur nga seanca paraprake do t’u vihet në dispozicion palëve.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme refuzoi edhe kërkesën e Ilir Metës për ndryshim të masës së sigurisë.

Në proces janë të përfshirë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, Ema Çoku (e akuzuar për pastrim parash), si dhe ish-kreu i AKEP Pirro Xhixho (i pandehur për korrupsion), të cilët në këtë seancë u përfaqësuan nga avokatët e tyre.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)