Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, ku po merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, një ngjarje që mblodhi liderët e rajonit dhe përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian për të diskutuar çështje strategjike dhe të integrimit. Në rrjetet sociale, Rama ka ndarë pamje nga pjesëmarrja e tij në aktivitetet e samitit.
Në nisje të agjendës, Kryeministri Rama u prit nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, në një takim dypalësh ku u diskutuan tema të bashkëpunimit rajonal dhe avancimit të integrimit europian.
Gjatë ditës, Rama do të marrë pjesë në seancën plenare me temë “Thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi i integrimit gradual”, e cila përfshin edhe diskutime mbi iniciativën “Roam like at home” dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Seanca do të drejtohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe do të marrë pjesë edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë Kaja Kallas, si dhe Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola.
Samiti pritet të nxjerrë konkluzione për thellimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin e reformave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Rama gjatë takimeve ka theksuar rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm dhe koordinimit të përbashkët me Bashkimin Europian për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e rajonit.
Në fokus të diskutimeve janë gjithashtu çështjet e mobilitetit, tregtisë, energjisë dhe përparimi në zbatimin e reformave për të përshpejtuar rrugën drejt anëtarësimit të vendit në BE.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)