Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e masave ndaj deputetes dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese për çështjen e pezullimit të saj nga detyra. Në hyrje të podkastit të tij, Rama u shpreh se çështja ndodhet aktualisht për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të vendosë më 22 janar, dhe se çdo hap tjetër duhet të presë vendimin e saj.
Kryeministri kritikoi SPAK-un për nxitim në kërkesën drejtuar Kuvendit, duke theksuar se në një shtet të së drejtës, drejtësia duhet të gjykojë me qetësi dhe jo të veprojë me masa të njëpasnjëshme pa u mbyllur proceset në themel. Sipas tij, kërkesa për masa të reja ekstreme pa përfunduar shqyrtimi kushtetues përbën një tejkalim kompetencash dhe krijon përplasje mes pushteteve.
“Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, deklaroi Rama, duke e cilësuar pezullimin e një anëtari të qeverisë si masë antidemokratike dhe antikushtetuese. Ai shtoi se shumica qeverisëse dhe parlamentare nuk ka asnjë gjasë të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK në këtë fazë, duke u mbështetur edhe në raportet e Këshillit të Europës, të cilat, sipas tij, ngrenë shqetësime mbi përdorimin e paraburgimit dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore.
Qëndrimi i Kryeministrit u konfirmua më herët edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, ku u bë e qartë se procedurat parlamentare do të pezullohen deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)