Nga “Palloshi” tek “Kapo”, Bardhi nxjerr dosjen AKSHI: Gjenocid ndaj buxhetit të shtetit

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar sërish dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas numrit dy të demokratëve, dosja e AKSHI tregon edhe njëherë skemën e vjedhjes së kësaj qeverie.

21.12.2025. 19:53

Nga “Palloshi” tek “Kapo”, Bardhi nxjerr dosjen AKSHI: Gjenocid ndaj buxhetit të shtetit

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka publikuar në rrjetet sociale disa pjesë së dosjes së AKSHI, ku janë përfshirë zyrtarë të lartë të kësaj agjencie, por edhe biznesmenë.

Sipas Bardhit, skema e korrupsionit është e njëjtë si në rastet e tjera kur paracaktohen fituesit, dyfishohet fondi limit dhe më pas ndahen paratë.

Bardhi shton se vetëm në 9 muaj Ergys Agasi ka përfituar mbi 30 milionë euro.

“Dosja e AKSHI-t provon se skema korruptive e ndjekur është identike me atë që kemi parë edhe në çështjet e tjera. Paracaktim i kritereve, paracaktimi i fitueseve, dyfishimi i fondit limit, ndarja e parave mes kompanisë fituese dhe autoritetit që përcakton fituesin. Sepse korrupsioni nuk është një akt i izoluar i Belinda Ballukut apo dikujt tjetër, por skemë qeverisjeje e Edi Ramës.

Logjika që ndiqet është se, nëse shërbimi kushton 2 milion, fondi limit bëhet 4 milion. Pra, taksa e korrupsionit merret po nga paratë e Buxhetit të Shtetit, jo nga vlera e fitimit të kompanive private.

Sipas SPAK-ut vetëm për 9 muaj, për periudhën 11.12.2024-26.9.2025, përmes kësaj skeme, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi, krahu i djathtë i lidhjeve me krimin e organizuar i Edi Ramës, ka përfituar plot 30.2 milion euro. Po po, 30.2 milion euro për 9 muaj ka përfituar taksë korrupsioni vetëm nga AKSHI, për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro.

Kjo nuk është vjedhje! Ky është genocid ndaj Buxhetit të Shtetit. Prandaj nuk kanë fonde për të rritur pensionet dhe pagat. Prandaj nuk kanë fonde për t’u dhënë punonjësve të shtetit shpërblim për fundvit, prandaj s’kanë fonde për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Këta nuk janë Qeveri. Këta janë një bandë që ka marrë peng vendin përmes një Kryeministri të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që ndryshe nga Belinda Balluku që e quante “Palloshi i gjatë”, Ergys Agasi e respektonte dhe e quante “Kapo”! Prandaj, ka nisur pengimin e drejtësisë, sepse e ka kuptuar që ka rënë në rrjetën e drejtësisë, në mos si “Palloshi i gjatë”, ka rënë si “Kapo””, shkruan Bardhi duke postuar dhe disa dokumente nga dosja.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)