Imuniteti i Ballukut, PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve të premten

Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve i kanë kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, thirrjen e mbledhjes së këshillit për çështjen "Balluku" këtë të premte, në orën 11:00.

24.12.2025. 14:48

Imuniteti i Ballukut, PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve të premten

Teksa Këshilli i Ministrave me një vendim të marrë sot e ka shpallur ditë pushimi për administratën këtë të premte, Partia Demokratike në krahun tjetër ka kërkuar që një ditë pas festës së Krishtlindjes të mblidhet Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Në shkresën e firmosur nga pesë anëtarët e PD në Këshill, drejtuar kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, kërkohet që mbledhja të zhvillohet ditën e premte, më 26 dhjetor, në orën 11:00.

Edhe pse kryeministri Edi Rama përmes podcastit të tij “Flasim” e ka bërë të qartë se mazhoranca nuk do të pranojë një mbledhje të Këshillit të Mandateve para datës 22 janar, kur Gjykata Kushtetuese do të shprehet për pezullimin e Ballukut nga detyrat qeveritare, nga selia blu insistojnë se duhet të miratohet sa më shpejt kërkesa e SPAK për zv/kryeministren.

Nga selia blu në vijimësi kanë kërkuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të vulosur fatin e Ballukut, për të cilën SPAK kërkon që t’i hapet rrugë arrestimit. Kërkesa e sotme për mbledhjen e Këshillit është e dyta që anëtarët e djathtë i drejtojnë kryeparlamentarit Peleshi, ku referuar të drejtës ligjore, Këshilli mblidhet me kërkesën e 1/2 të anëtarëve.

Në kërkesë nënvizohet se një javë ka qenë periudhë kohore e mjaftueshme për të gjithë anëtarët për tu njohur me provat e vëna në dispozicion nga SPAK, të cilat përkojnë me një dosje hetimore me rreth 10 mijë faqe, e cila u është dorëzuar përmes një USB-je.

Sakaq, kujtojmë se zv/kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkelje të barazisë në tendera” lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)