"Balluku, 1 miliardë euro për 11 tendera", Bardhi: Shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve u urdhërua nga Rama

Pesë anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve, me në krye shefin e Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi në një konferencë për media kanë kërkuar që Këshilli i Mandateve të mblidhet me urgjencë për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

20.12.2025. 12:04

"Balluku, 1 miliardë euro për 11 tendera", Bardhi: Shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve u urdhërua nga Rama

Pesë anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve, me në krye shefin e Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi në një konferencë për media kanë kërkuar që Këshilli i Mandateve të mblidhet me urgjencë për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Në fjalën e tij Gazment Bardhi këmbënguli se mbyllja pas më shumë se 5 orë diskutimesh e mbledhjes së të premtes nga kreu i Kuvendit Niko Peleshi, pa arritur një dakordësi për datën kur do të zhvillohet mbledhja e radhës, është një tentativë nga mazhoranca për të mbrojtur korrupsion dhe për të penguar drejtësinë që të veprojë, duke mbajtur pezull arrestimin e Ballukut.

“Si në asnjë rast tjetër kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka shtyrë mbledhjen e Këshillit të mandative pa caktuar një afat se kur ky Këshill do të marrë në shqyrtim dhe do t’i hapë rrugë miratimit nga seanca plenare të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e zv/kryeministres. Ky është një akt politik i urdhëruar nga Edi Rama për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin e tij dhe të zv/kryeministres dhe qeverisë së tij”, tha Bardhi.

Teksa kërkoi që Këshilli i Mandateve të mblidhet një orë e më parë, Bardhi nënvizoi shqetësimin e PD, por sipas tij edhe të shprehur në mbledhjen e djeshme nga prokurorët e posaçëm se mosarrestimi në kohë i Ballukut do të çojë në prishje provash dhe cënim të hetimeve të SPAK.

“Si anëtar të opozitës në Këshillin e Mandatave kemi kërkuar dhe kërkojmë me forcë mbledhjen një orë e më parë të Këshillit të Mandateve për të miratuar kërkesën e Prokurorisë. Bashkëndajmë shqetësimin që prokurorët e posaçëm informuan dje në Kuvend që çdo ditë në liri e Belinda Ballukut nënkupton cënim të hetimeve, prishje të provave dhe intimidim të dëshmitarëve”, theksoi kreu i Grupit Parlamentar të PD.

Më tej Bardhi sqaroi publikun se vlera e 11 procedurave tenderuese, të cilat SPAK dyshohet se janë paracaktuar nga Balluku si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë shkon në 1 miliardë euro.

“Për herë të paë dua të informoj opinionin publik se kërkesa e Prokurorisë përveçse është argumentuar ligjërisht, mbështetet nga një numër i konsiderueshëm provash, rreth 80 prova të ndara në disa volume, në mijëra faqe që provojnë se kërkesa nuk ka asnjë të dhënë për akuzë politike. Prokuroria e Posaçme e ka marrë të pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe e ka nën hetim për një nga lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, 6 procedura për lotet e tjera të Unazës së Tiranës, koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar dhe dy procedura prokurorimi për mirëmbajtje rrugësh. Totali i të 11 procedurave të prokurorimit korruptive, për të cilat akuzohet qeveria e Edi Ramës kap vlerën e mbi 1 miliardë eurove”, sqaroi Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)