Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e vëllait të ‘Rrumit’ dhe Vlash Brahjas për tjetërsimin e pronave në Lalëz

Apeli i GJKKO në tetor 2025 kishte lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Aleksandër Lahon, i njohur si Rrumi i Shijakut, për vëllain e tij Vullnet Muça dhe për Vlash Brahjan.

21.03.2026. 19:38

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e vëllait të ‘Rrumit’ dhe Vlash Brahjas për tjetërsimin e pronave në Lalëz

Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e paraqitur nga Vullnet Muça dhe Vlash Brahja, të cilët dyshohen se janë anëtarë të një grupi kriminal të përfshirë në tjetërsimin e tokave në Gjirin e Lalëzit. Kërkesa e tyre synonte shfuqizimin e vendimit të Apelit të GJKKO të tetorit të vitit 2025.

Pas atij vendimi ishte lënë në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Aleksandër Lahon, i njohur si Rrumi i Shijakut, për vëllain e tij Vullnet Muça dhe për Vlash Brahjan. Apeli kishte konfirmuar gjithashtu masën e arrestit për Enea Kume, vëllain e deputetit socialist, Loer Kume, i dyshuar si vëzhgues në vrasjen e Edmir Bregut në vitin 2021 në Durrës.

Rrumi i Shijakut ka qenë pjesë e ngjarjeve të kronikës së zezë, pasi i shpëtoi atentatit më 1 nëntor 2019 në vendin e njohur si mbikalimi i Shkozetit. Aty Aleksandër Laho mbeti i plagosur, ashtu si edhe ish-prokurori Arjan Ndoj që po udhëtonte me të në mjet, ndërsa viktimë e atentatit mbeti Andi Maloku.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)