“Model abuziv me naftën”, deputeti Braçe: Edhe pa taksa, Shqipëria ka çmimin më të lartë në rajon

Edhe pa përfshirë akcizën, TVSH-në dhe taksën e qarkullimit, përfaqësuesi socialist deklaroi se çmimi në Shqipëri rezulton deri në 40% më i lartë se në vendet e rajonit.

21.03.2026. 22:38

“Model abuziv me naftën”, deputeti Braçe: Edhe pa taksa, Shqipëria ka çmimin më të lartë në rajon

“Edhe nëse hiqen taksat, Shqipëria vijon të ketë çmimin më të lartë të naftës në rajon”. Ky ishte reagimi i deutetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe në rrjetet sociale. Sipas përfaqësuesit të partisë në pushtet, problem lidhet me modelin abuziv që ekziston në vendin tonë.

Sipas Braçes, çmimi neto i naftës arrin në 0,984 euro për liter dhe është më i lartë krahasuar me vende si Mali i Zi, Greqia, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Braçe thekson se edhe pa përfshirë akcizën, TVSH-në dhe taksën e qarkullimit, çmimi në Shqipëri rezulton deri në 40% më i lartë se në vendet e rajonit.

Deputeti i referohet një analize të publikuar nga “ALTAX” dhe platforma “Polifakt”, duke argumentuar se problemi kryesor lidhet me modelin e tregut të karburanteve, që përveçse abuziv e ka cilësuar edhe si “klientelist dhe të mbrojtur”.

Braçe solli në vëmendje edhe një rast nga Italia, ku sipas tij ulja e akcizës nuk u reflektua plotësisht në çmimet për konsumatorët, pasi një pjesë e operatorëve nuk e zbatuan uljen. Sipas tij, i njëjti rrezik ekziston edhe në Shqipëri, për shkak të mënyrës se si funksionon tregu. Në përfundim, Braçe theksoi se tregu i karburanteve ndikohet më shumë nga politika sesa nga faktorë ekonomikë, duke cituar ekspertin Daniel Yergin: “Nafta është 10% ekonomi dhe 90% politikë”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)