Janë publikuar pamjet filmike të arrestimit të këngëtarit Justin Timberlake, ngjarje që ka ndodhur në qershor të vitit 2024 në Sag Harbor, në Long Island pas një ndalimi rutinë nga policia. Videoja, e regjistruar nga kamera trupore e një efektivi policie, tregon artistin me sjellje të paqëndrueshme, duke folur me vështirësi dhe duke kaluar nga mosbesimi te nervozizmi, e deri te momentet me humor gjatë ndërveprimit me oficerët.
Ngjarja nisi kur policia e ndaloi Timberlake për kalim të kundraligjshëm të një tabele “Stop” dhe lëvizje të çrregullt në rrugë. Gjatë bisedës me efektivin, ai deklaroi se ishte në turne botëror, përpara se të identifikohej si këngëtari i njohur. Pamjet tregonin gjithashtu momentet kur artisti i nënshtrohet testeve të alkoolit në rrugë, ku has vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit.
“Jam pak nervoz”, dëgjohej të thoshte ikona e muzikës botërore, ndërsa në një moment tjetër shtonte se testet janë të vështira. Videoja u publikua pas një marrëveshjeje mes autoriteteve lokale dhe këngëtarit, i cili më herët kishte kundërshtuar shfaqen e pamjeve, duke e cilësuar si shkelje të privatësisë.
Video, e cila ishte rreth 19 minuta e gjatë është shkurtuar para publikimit dhe nuk përfshin disa pjesë të përmendura më parë në media. Në shtator 2024, Justin Timberlake pranoi fajësinë për një akuzë më të lehtë për drejtim mjeti në gjendje të papërshtatshme, duke shmangur dënimin më të rëndë. Ai u gjobit me 500 dollarë dhe u dënua me 25 orë punë në shërbim të komunitetit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)