“Faktet rreth Chuck Norris”, si lindi miti i aktorit u kthye në fenomen global të internetit

Me largimin e tij nga jeta, mbyllet jo vetëm një kapitull i rëndësishëm i kinemasë së aksionit, por edhe një epokë e kulturës së internetit ku ai u shndërrua në legjendë.

20.03.2026. 22:16

“Faktet rreth Chuck Norris”, si lindi miti i aktorit u kthye në fenomen global të internetit

“Chuck Norris në fakt ka vdekur prej 20 vitesh, por vdekja nuk pati guxim t’ia thoshte”. Kjo është një nga batutat më të famshme që për vite me radhë ka ushqyer mitin rreth aktorit amerikan, i cili ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare. Me largimin e tij nga jeta, mbyllet jo vetëm një kapitull i rëndësishëm i kinemasë së aksionit, por edhe një epokë e kulturës së internetit ku ai u shndërrua në legjendë.

I njohur për rolin e tij në serialin Walker, Texas Ranger dhe për aftësitë e tij në artet marciale, Norris u bë shumë më tepër sesa një aktor: një simbol ironik i fuqisë së pakufishme, i ndërtuar nga vetë përdoruesit e internetit përmes të ashtuquajturave “Faktet rreth Chuck Norris”.

Ky fenomen nisi në fillim të viteve 2000 në forume online dhe u bë viral rreth vitit 2005, kur përdoruesi Ian Spector filloi të publikonte fraza absurde për figura publike. Interneti “zgjodhi” Chuck Norris si protagonistin ideal, duke marrë karakteristikat e tij reale, si forca fizike dhe aftësitë në arte marciale, e duke i çuar situatat në ekstrem, madje deri në absurditet.

Shumë prej këtyre batutave janë bërë ikonike: “Chuck Norris ka numëruar deri në pafundësi. Dy herë”, apo “Kur e qëlluan Chuck Norris, plumbi përfundoi në gjendje kritike”. Të tjera thënie e përshkruajnë si një qenie pothuajse të mbinatyrshme, ku gjithçka rrotullohet rreth fuqisë së tij absolute.

Fenomeni nuk mbeti vetëm në internet, por depërtoi edhe në kulturën pop, me referenca në muzikë dhe në filma si “The Expendables 2”. “Faktet rreth Chuck Norris” u kthyen në një nga shembujt e parë të humorit viral global, duke reflektuar një epokë kur rrjeti ishte më spontan dhe i ndërtuar nga komunitetet.

Mes barcaletave të tjera janë: “Një herë dinosaurët e vështruan keq Chuck Norris. Të gjithë e dimë çfarë u ndodhi”, “Chuck Norris është i vetmi njeri në botë që mund ta godasë cikllopin në mes të syve” apo “Përpara se të harronte dhuratën për Chuck Norris, Babagjyshi i Vitit të Ri ishte i vërtetë” dhe “Chuck Norris mund ti lidhë këpucët duke përdorur këmbët”.

Edhe pse me kalimin e viteve figura të tjera kanë marrë vëmendjen e publikut online, miti i Chuck Norris mbetet i gjallë. Dhe ndërsa bota i jep lamtumirën aktorit, një pyetje mbetet në frymën e legjendës: Si arriti vallë vdekja të gjejë guximin për ta marrë Chuck Norris?

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)