Një libër i ri ka rikthyer polemikat rreth familjes mbretërore britanike dhe marrëdhënies mes princit Harry dhe Meghan Markle. Në librin e tij “Tradhtia: Pushteti, Mashtrimi dhe Lufta për të ardhmen e Familjes Mbretërore”, gazetari Tom Bower pretendon se Dukesha e Sussex ka manipuluar princin Harry dhe ka ushtruar ndikim të fortë mbi të, duke e akuzuar madje për “lavazh truri”.
Sipas autorit, Meghan do ta kishte shtyrë Harry-n të distancohej nga familja mbretërore, për shkak të pakënaqësisë me rolin e tij në monarki dhe pamundësinë për të qenë ndonjëherë në fron. Pretendimet e librit kanë shkaktuar reagime të shumta në media dhe në opinionin publik britanik.
Reagimi i Dukës dhe Dukeshës së Sussex nuk ka vonuar. Sipas raportimeve të mediave britanike, ata kanë deklaruar për “BBC” se Tom Bower ka ndërtuar karrierën e tij mbi “teori të ndërlikuara për njerëz që nuk i ka takuar kurrë”. Çifti i cili është larguar nga jeta monarkike, i ka cilësuar pretendimet e gazetarit si “konspiracione delirante”.
Debati vjen në një moment kur disa burime kishin folur për një zbutje të tensioneve brenda familjes mbretërore, ndërsa mbreti Charles thuhej se po përpiqej të afrohej sërish me çiftin Sussex. Megjithatë, publikimi i këtij libri duket se ka rikthyer sërish vëmendjen te përplasjet e vjetra brenda familjes Windsor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)