Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një seri takimesh në Parlamentin Federal të Belgjikës, ku ka paraqitur shqetësimet për situatën politike në Shqipëri.
Gjatë vizitës në Bruksel, Berisha u takua me zëvendëskryetaren dhe anëtarë të Komisionit të Jashtëm të parlamentit belg. Sipas tij, në këto takime është diskutuar ajo që ai e cilëson si një krizë e thellë politike dhe institucionale në Shqipëri. Berisha deklaroi se në fokus të bisedimeve kanë qenë përqendrimi i pushteteve, procesi zgjedhor dhe ndikimi i krimit të organizuar.
“Paraqitëm gjendjen në Shqipëri, situatën dramatike në të cilën ndodhet dhe krizën që po e gllabëron vendin, me shtylla kryesore përqendrimin e të gjitha pushteteve në dorë të një njeriu dhe shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale”, u shpreh ai.
Lideri i opozitës ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e trafikut të drogës, duke theksuar se sipas tij ky fenomen përbën rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende si Belgjika dhe rajoni më gjerë.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë ligjore.
“Bllokimi i heqjes së imunitetit të Edi Ramës dhe votimi i paketave ligjore si mburojë për vjedhjet e qeveritarëve janë tregues të një sistemi që synon të mbrojë korrupsionin”, deklaroi ai.
Ai theksoi se Partia Demokratike mbetet e përkushtuar ndaj integrimit europian, duke e cilësuar atë si objektivin kryesor të saj.
“PD ka si yll polar integrimin e bazuar në meritë. Kushti i të gjitha kushteve është respektimi i shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)