Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin një hap të pazakontë në ditët në vijim, duke përdorur naftën iraniane për të ndikuar në tregjet globale. Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent ka deklaruar se Washingtoni mund të heqë përkohësisht sanksionet mbi naftën iraniane të bllokuar në det, me qëllim që ajo të hidhet në treg dhe të frenojë rritjen e çmimeve.
Sipas tij, bëhet fjalë për rreth 140 milionë fuçi naftë, të cilat më parë ishin destinuar për Kinën. Kjo sasi pritet të përdoret për të mbajtur çmimet e ulëta për një periudhë prej 10 deri në 14 ditësh, në një moment kur tregjet po përballen me paqëndrueshmëri.
Deklarata vjen në një kohë kur çmimi i naftës “Brent” ka shënuar rritje, pas sulmeve të ndërmarra nga Irani ndaj objekteve energjetike. Këto sulme erdhën si kundërpërgjigje ndaj goditjeve izraelite mbi fushën e gazit South Pars, e cila është një nga më të mëdhatë në botë.
Ndërkohë, sipas raportimeve të “The Wall Street Journal”, disa vende arabe kanë shprehur rezerva ndaj veprimeve të SHBA-ve dhe Izraelit. Sipas tyre, kjo që po ndodh me luftën dhe me tregun e karburanteve, i ka kthyer vendet e Lindjes së Mesme në objektiva të mundshme gjatë përshkallëzimit të konfliktit në rajon.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)