Vrasja e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Itali ka rikthyer në vëmendje një nga ngjarjet më tronditëse rreth një vit më parë, ndërsa autori i krimit ka dhënë dëshminë e tij në gjykatë.
24-vjeçari Mark Antony Samson, i cili ka pranuar vrasjen e ish-të dashurës së tij, ka dëshmuar para Gjykatës së Asizës në Romë, duke rrëfyer momentet e krimit. Në sallën e sigurisë së lartë në Rebibbia, ai deklaroi se nuk e di çfarë e shtyu drejt aktit ekstrem. “Nuk di të shpjegoj çfarë më ndodhi. Është sikur më ra një perde para syve. Nuk mbaj mend sa herë e godita në fytyrë, por ishin më shumë se dy herë”, tha ai para trupit gjykues.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 mars 2025, në banesën e autorit në Romë, ku e reja shqiptare u vra me thikë. Gjatë dëshmisë, i pandehuri pranoi gjithashtu se nuk kishte thënë gjithmonë të vërtetën në hetime, duke pretenduar se kishte tentuar të mbronte nënën e tij, e cila më herët është dënuar me dy vite burg për fshehje të trupit.
Në seancë ishin të pranishëm edhe prindërit e viktimës, të cilët përjetuan momente të rënda emocionale. Nëna e 22-vjeçares pati një gjendje të rënduar shëndetësore dhe u detyrua të dalë përkohësisht nga salla. “Janë ditë shumë të vështira, të dëgjosh ato që ndodhën është tepër e dhimbshme”, u shpreh ajo. Ndërsa babai i saj theksoi se familja nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi maksimale, duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për autorin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)