Inceneratori i Elbasanit, Apeli konfirmon dënimin për Kokën dhe Bllakon

Apeli ka konfirmuar dënimin me 10 vite burg për Kokën, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 6 vite e 8 muaj heqje lirie.

19.05.2026. 20:02

Inceneratori i Elbasanit, Apeli konfirmon dënimin për Kokën dhe Bllakon

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, në lidhje me dosjen e inceneratorit të Elbasanit, një nga çështjet më të mëdha të hetuara në Shqipëri për abuzim me fondet publike.

Apeli ka konfirmuar dënimin me 10 vite burg për Kokën, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 6 vite e 8 muaj heqje lirie. Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankimeve në një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Në të njëjtën çështje, gjykata ka lënë në fuqi dënimet edhe për ish-deputetin Alqi Bllako, si dhe për një sërë personash të tjerë të përfshirë në hetime, mes tyre Pëllumb Abeshi, Bardhyl Cabiri, Serafin Papa, Jonida Zeqo, si edhe biznesmenët Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.

Dosja e inceneratorit të Elbasanit lidhet me hetimet për mënyrën e dhënies dhe zbatimit të koncesionit për ndërtimin dhe menaxhimin e impiantit të mbetjeve në Elbasan. SPAK ka ngritur dyshime se gjatë këtij procesi janë kryer abuzime me procedurat e prokurimit publik dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Hetimet kanë përfshirë zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të kompanive private, ndërsa çështja është ndarë në disa episode gjyqësore. Sipas SPAK, skema lidhet me kontrata koncesionare dhe pagesa të dyshuara të parregullta gjatë realizimit të projektit të inceneratorit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)