“Botërori 2026”, FIFA nuk do t’i zhvendosë ndeshjet e Iranit në Meksikë

Një zëdhënës i “qeverisë” së futbollit deklaroi se FIFA shpreson që të gjitha ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë ndeshjet sipas kalendarit të shpallur më 6 dhjetor 2025.

17.03.2026. 19:39

“Botërori 2026”, FIFA nuk do t’i zhvendosë ndeshjet e Iranit në Meksikë

FIFA nuk ka në plan që të ndryshojë kalendarin e Kupës së Botës 2026 apo që, sipas kërkesës së federatës iraniane, të mendojë zhvendosjen e ndeshjeve të Kombëtares së Iranit nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë. Sipas raportimeve të mediave britanike, kjo çështje nuk është aktualisht në rendin e ditës dhe nuk ka qenë objekt diskutimi zyrtar.

Një zëdhënës i FIFA-s deklaroi se organizata është në kontakt të vazhdueshëm me federatat pjesëmarrëse rreth përgatitjeve për turneun. “FIFA është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha federatat pjesëmarrëse, duke përfshirë edhe Iranin, për të diskutuar planet lidhur me Kupën e Botës 2026. FIFA shpreson që të gjitha ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë ndeshjet sipas kalendarit të shpallur më 6 dhjetor 2025”, tha ai.

Megjithatë, Meksika ka shprehur gatishmëri për të pritur ndeshjet e Iranit, nëse FIFA do të vendoste një ndryshim për arsye sigurie. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum deklaroi në një konferencë për shtyp se vendi i saj ka marrëdhënie me të gjitha shtetet dhe do të respektojë çdo vendim të FIFA-s.

Deklarata erdhi pasi presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, bëri të ditur se janë duke u zhvilluar bisedime me FIFA-n për mundësinë e zhvendosjes së ndeshjeve nga territori amerikan në Meksikë, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e lojtarëve. Sipas kalendarit aktual, Irani duhet të luajë dy ndeshje të fazës së grupeve në Los Angeles dhe një në Seattle.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)