Qeveria e Meksikës ka vendosur që viti shkollor të përfundojë rreth gjashtë javë më herët se zakonisht, për shkak të organizimit të Botërorit 2026 dhe temperaturave shumë të larta që pritet të godasin vendin gjatë verës.
Sipas Ministrisë së Arsimit, shkollat që ishin planifikuar të mbylleshin më 15 korrik do të përfundojnë mësimin më 5 qershor, vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës.
Presidentja Claudia Sheinbaum deklaroi se vendimi është marrë pas kërkesave nga mësuesit dhe autoritetet lokale, duke theksuar se do të ruhet programi mësimor dhe nxënësit nuk do të humbasin procesin edukativ.
Viti i ri shkollor do të nisë më 31 gusht, pas një periudhe dyjavore të dedikuar për përforcimin e njohurive të nxënësve.
Botërori 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ndërsa ndeshja hapëse do të luhet më 11 qershor në stadiumin “Azteca” në Mexico City, ku Meksika do të përballet me Afrikën e Jugut.
Meksika do të organizojë 13 ndeshje në qytetet Guadalajara, Mexico City dhe Monterrey.
Autoritetet thanë se ndryshimi i kalendarit shkollor lidhet edhe me valën e jashtëzakonshme të të nxehtit që pritet gjatë muajve qershor dhe korrik. Vendi ka regjistruar tashmë temperatura rekord këtë vit, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se temperaturat mund të rriten edhe më shumë gjatë verës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)