Një ngjarje tronditëse është zbuluar në SHBA, ku një grua është shpallur fajtore për vrasjen e bashkëshortit të saj me qëllim përfitimin e sigurimit të jetës, ndërsa më pas publikoi edhe një libër për fëmijë mbi dhimbjen e humbjes.
35-vjeçarja Kouri Richins, nënë e tre fëmijëve nga shteti i Utah, u dënua për helmimin e bashkëshortit të saj, Eric Richins, në mars të vitit 2022. Sipas hetimeve, ajo i kishte përzier një dozë vdekjeprurëse të Fentanyl në një koktej, duke i shkaktuar vdekjen në banesën e tyre.
Prokurorët deklaruan se krimi ishte i planifikuar dhe kishte si motiv përfitimin financiar. Gruaja synonte të përfitonte rreth 4 milionë dollarë nga policat e sigurimit të jetës, ndërsa kishte edhe borxhe që arrinin në rreth 4.5 milionë dollarë. Sipas akuzës, ajo kishte lidhur edhe disa sigurime të tjera në emër të bashkëshortit pa dijeninë e tij, me vlerë rreth 2 milionë dollarë.
Hetimet zbuluan se ajo kishte tentuar ta helmonte edhe më herët, në ditën e Shën Valentinit, por atëherë viktima kishte mbetur vetëm pa ndjenja. Në rastin fatal, i ishte dhënë një dozë opioidi disa herë më e lartë se kufiri vdekjeprurës.
Pas vdekjes së bashkëshortit, Richins publikoi një libër për fëmijë me titull “Are You With Me?”, duke pretenduar se synonte të ndihmonte fëmijët e saj të përballonin humbjen e të atit. Megjithatë, libri u përdor më pas si provë nga prokuroria në gjykatë.
Ajo rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa vendimi përfundimtar për dënimin pritet të jepet më 13 maj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)