Një shpërthim i fuqishëm ka alarmuar banorët në disa shtete të SHBA-së, pasi një objekt i zjarrtë, i dyshuar si meteor, hyri në atmosferën e Tokës. Ngjarja ndodhi të martën në mëngjes, duke shkaktuar panik dhe reagime të shumta në rrjetet sociale.
Dëshmitarë në Pittsburgh raportuan se panë një objekt të ndritshëm duke përshkuar qiellin, të cilin e përshkruan si “diçka mes një rakete dhe një meteori”. Ndërkohë, banorë nga zona të ndryshme, nga Ohio deri në Cleveland, deklaruan se dëgjuan një zhurmë të fortë që u ngjante shpërthimeve apo vibrimeve të fuqishme që tundën shtëpitë.
Sipas “Shërbimit Kombëtar të Motit” në SHBA, objekti ka qenë me shumë gjasa një meteor që hyri me shpejtësi të madhe në atmosferë. Ai u kap fillimisht nga satelitët hapësinorë rreth orës 09:00 sipas kohës lokale, ndërsa u pa nga dëshmitarët rreth një orë më vonë.
Autoritetet në Cleveland bëjnë të ditur se meteori ka të ngjarë të jetë shpërbërë në ajër, rreth 40 kilometra mbi rajonin e Ohio Verilindore dhe Liqenin Erie. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që fragmente të vogla të kenë rënë në liqen.
Shpërthimi i raportuar nuk ishte një eksplozion real, por një “boom sonik” i krijuar nga shpejtësia shumë e lartë e meteorëve, që kalojnë mbi 40 mijë kilometra në orë. Fatmirësisht, nuk ka raportime për të lënduar apo dëme materiale.
Shkencëtarët shpjegojnë se meteoroidet janë objekte të vogla shkëmbore që digjen gjatë hyrjes në atmosferë, duke krijuar dritën e njohur si “yll që bie”. Vetëm një pjesë e vogël arrin në sipërfaqe, duke u kthyer në meteorit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)