Mbreti i Spanjës “kthehet 500 vite pas në kohë”, pranon abuzimet gjatë pushtimit të Meksikës

Mbreti i Spanjës, Felipe VI, ka rihapur debatin mbi pushtimin spanjoll të Meksikës, pasi pranoi publikisht se gjatë kësaj periudhe historike janë kryer abuzime.

Burimi: BBC

17.03.2026. 22:42

Mbreti i Spanjës “kthehet 500 vite pas në kohë”, pranon abuzimet gjatë pushtimit të Meksikës

Mbreti i Spanjës, Felipe VI, ka rihapur debatin mbi pushtimin spanjoll të Meksikës, pasi pranoi publikisht se gjatë kësaj periudhe historike janë kryer abuzime. Deklaratat e tij erdhën gjatë një vizite në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar Arkeologjik në Madrid, kushtuar grave indigjene të Meksikës.

Gjatë fjalës së tij, monarku theksoi se në procesin e pushtimit kishte pasur “shumë abuzime” dhe se disa nga ngjarjet historike, të parë me vlerat e sotme, nuk mund të konsiderohen si burim krenarie. Kjo është hera e parë që një mbret spanjoll pranon publikisht anët negative të periudhës koloniale.

Deklaratat janë mirëpritur nga presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, e cila i cilësoi si një hap drejt pajtimit mes dy vendeve. Ajo theksoi se megjithëse nuk është gjithçka që Meksika ka kërkuar, ky është një gjest i rëndësishëm që njeh padrejtësitë dhe shfarosjet që ndodhën gjatë mbërritjes së spanjollëve.

Çështja e së kaluarës koloniale ka shkaktuar tensione diplomatike ndër vite. Në vitin 2019, ish-presidenti Andrés Manuel López Obrador kërkoi zyrtarisht falje nga Spanja për shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë pushtimit. Në vitin 2024, Sheinbaum nuk e ftoi mbretin në inaugurimin e saj, pikërisht për mungesë reagimi ndaj kësaj kërkese.

Megjithatë, deklaratat e mbretit kanë nxitur reagime të forta në Spanjë. Qeveria ka mbështetur plotësisht qëndrimin e tij, ndërsa opozita konservatore ka kundërshtuar, duke paralajmëruar se nuk duhet gjykuar e kaluara me standardet e sotme. Ndërkohë, partitë e djathta ekstreme kanë mbrojtur trashëgiminë spanjolle, duke e cilësuar pushtimin si një proces civilizues dhe fetar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)