Tre raste të kontrabandës janë goditur gjatë ditës së sotme në doganën e Kapshticë, duke çuar në arrestimin e dy personave dhe procedimin penal të një tjetri.
Sipas autoriteteve, një 47-vjeçar me inicialet I. Ç., banues në Greqi, është arrestuar në flagrancë pasi në hyrje të Shqipërisë, iu gjet një sasi medikamentesh mjekësore pa dokumentacion përkatës.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në bashkëpunim me shërbimet doganore, në vijën e dytë të automjetit, shtetasit I. Ç. iu gjet një sasi me medikamente mjekësore, pa dokumentacionin përkatës”, njofton policia, duke shtuar se “u sekuestruan në cilësinë e provës materiale medikamentet, automjeti dhe një aparat celular.”
Ndërkohë, në një rast tjetër, në dalje të territorit shqiptar, është arrestuar një 45-vjeçar nga fshati Sul i Devollit, pasi rezultoi se drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
“Gjatë verifikimit të dokumentacionit rezultoi se shtetasi me inicialet R. P. drejtonte automjetin pa leje drejtimi”, bën me dije policia.
Po ashtu, është proceduar penalisht një 63-vjeçar nga Korça, me inicialet E. K., pasi në automjetin e tij u gjetën të fshehura disa bombola me gaz freon, të padeklaruara në doganë.
“Gjatë kontrollit në vijën e dytë të automjetit, iu gjetën të fshehura në bagazh disa bombola me gas freon, të dyshuara të kontrabanduara”, thuhet në njoftim.
Autoritetet bëjnë të ditur se bombolat e gazit dhe automjetet janë sekuestruar si prova materiale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)