E ardhmja e Kristjan Asllanit duket se do të ndryshojë sërish gjatë merkatos së verës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare pritet të largohet nga Beshiktashi në përfundim të sezonit dhe të rikthehet te Interi, pasi klubi turk nuk është i bindur të investojë për kartonin e tij.
Mediat turke raportojnë se drejtuesit e Beshiktashit kanë vendosur të mos aktivizojnë opsionin e blerjes për disa lojtarë të afruar në formë huazimi, mes tyre edhe Asllanin. Vendimi vjen pas një sezoni zhgënjyes për skuadrën e Stambollit, e cila mbeti jashtë objektivave kryesorë dhe u eliminua edhe nga Kupa e Turqisë.
Një nga arsyet kryesore që ka ndikuar në këtë zgjedhje është shuma e kërkuar nga Interi për shqiptarin. Klauzola e blerjes, që sipas raportimeve arrin në rreth 12 milionë euro, konsiderohet shumë e lartë nga drejtuesit turq në raport me planet e klubit për sezonin e ardhshëm.
Kështu, aventura e Asllanit në Turqi pritet të mbyllet pas vetëm pak muajsh. Megjithatë, rikthimi te Interi nuk duket se do të jetë afatgjatë, pasi mesfushori nuk bën pjesë në planet kryesore të zikaltërve për sezonin e ri.
Në javët e ardhshme pritet të vendoset edhe destinacioni i ri i futbollistit shqiptar, ndërsa interesimet nga klube të tjera europiane nuk mungojnë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)