Rama u zotua se çështja "Balluku" nuk diskutohet deri më 22 janar, PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve

Pesë anëtarët e PD në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve i janë drejtuar kreut të Kuvendit Niko Peleshi, me një kërkesë për të mbledhur ditën e nesërme Këshillin për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

22.12.2025. 13:54

Rama u zotua se çështja "Balluku" nuk diskutohet deri më 22 janar, PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve

24 orë pasi kryeministri Edi Rama u zotua se Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet në  një kohë të afërt për të marrë një vendim mbi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, Partia Demokratike ka bërë lëvizjen e saj.

Ashtu siç kishte paralajmëruar në daljet për mediat kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka njoftuar se 5 anëtarët e PD në Këshillin e Mandatve i janë drejtuar me një kërkesë kreut të Kuvendit Niko Peleshi për të mbledhur nesër këtë organ, për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.

“Sot, ne 5 anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, i kemi dërguar një kërkesë urgjente Kryetarit të Kuvendit për të mbledhur Këshillin e Mandateve nesër në orën 11:00, për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut, me anë të së cilës kërkohet autorizimi për arrestimin apo heqjen e lirisë ndaj zëvendëskryeministres, ministres dhe deputetes Belinda Balluku. Edi Rama dje njoftoi se do të vijonte bllokimin e drejtësisë dhe pengimin e saj deri në muajin shkurt, kur Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht mbi një kërkesë të tij për masën e parë ndaluese të marrë nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme ndaj Belinda Ballukut. Në fakt, kërkesa e sjellë në Kuvend nga Prokuroria dhe çështja që po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Gjatë kohës kur Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, për shkak se Prokuroria kishte marrë masën ndaluese për ushtrimin e funksionit për zonjën Balluku, ajo akuzohej për dy krime, me një vlerë dëmi prej 2010 milionë euro, dhe dosja e saj ishte kjo.

Sot që kërkesa e Prokurorisë ka ardhur në Kuvend për përshkallëzimin e masës ndaluese ndaj zonjës Balluku, pra për masë arresti apo heqje të lirisë, ajo akuzohet për plot 11 krime, me një vlerë dëmi prej 1.1 miliardë euro. Dhe dosja e saj është kjo, së bashku me provat që Prokuroria i ka sjellë në këtë USB Kuvendit. Ndaj, thirrja ime sot shkon për Kryetarin e Kuvendit që të mos pengojë drejtësinë, të mos bëhet vegël e interesave personale apo e frikës që ndjen Edi Rama nga hetimi i plotë, i shpejtë dhe i pa ndikuar i Prokurorisë në rastet korruptive të Belinda Ballukut. Tashmë i madh e i vogël e dinë që Edi Rama nuk po e pengon drejtësinë për shkak të Belinda Ballukut, por po e pengon drejtësinë për shkak të frikës së tij dhe sepse është i ndërgjegjshëm se urdhëruesi i çdo afere korruptive të kryer nga Belinda Balluku është vetë Edi Rama”, tha Bardhi.

Aktualisht nuk ka një datë të caktuar për mbledhjen e radhës të Këshillit të Mandateve, ndërsa Rama në hyrje të podkastit të tij “FLASIM”, u shpreh se çështja ndodhet aktualisht për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të vendosë më 22 janar për çështjen e pezullimit të saj nga detyra, dhe se çdo hap tjetër duhet të presë vendimin e saj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)