“Fati” i Ballukut, PD thirrje Ramës e Peleshit: Të mblidhet të hënën Këshilli i Mandateve, të miratojmë kërkesën e SPAK

Partia Demokratike përmes një komunikate për mediat të pesë anëtarëve të saj në Këshillin e Mandateve, ka bërë thirrje që ky organ i Kuvendit të mblidhet ditën e hënë për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

20.12.2025. 12:26

“Fati” i Ballukut, PD thirrje Ramës e Peleshit: Të mblidhet të hënën Këshilli i Mandateve, të miratojmë kërkesën e SPAK

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se është hera e parë që shtyrja e mbledhjes është bërë pa caktuar një datë tjetër, ashtu siç vendosi ditën e djeshme kreu i Kuvendit Niko Peleshi pas mbledhjes ku ishte i pranishëm dhe kreu i SPAK, Klodian Braho, e cila zgjati 5 orës.

Bardhi i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që sipas tij të ndalë tentativën për t’i bërë bllokadë SPAK-ut dhe të lejojë zbatimin e ligjit.

“Po tentohet të zvarritet ngjarja. Këshilli i Mandateve është mbledhur gjithmonë brenda 48 orë, i ka dhënë kohë personit 48 orë dhe brenda 72 orësh ka miratuar kërkesën në seancë plenare. Ky është rasti i parë ku mbyllet mbledhja pa caktuar mbledhje tjetër. Dje morëm dosjen e plotë të sjellë nga Prokuroria. Për 5 herë gjatë mbledhjes u tentua të intimidohen prokurorët që të pohonin në seancë që deputetët nuk mund të merrnin materiale, dua të vlerësoj integritetin e prokurorëve. I bëj thirrje Ramës, të heqë dorë nga pengimi që po tenton ti bëjë drejtësisë, tentativa për ta marrë peng, avokatia ndaj të korruptuarës Belinda Balluku. Të mbledhë në fillim të javës Këshillin e Mandateve dhe për të marrë vendimin për ti kërkuar Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin apo heqjen e lirisë për Belinda Ballukun”, këmnëguli Bardhi.

Ai po ashtu i dërgoi një mesazh kryeparlamentarit Niko Peleshi, duke kërkuar që të thërrasë që në fillim të javës mbledhjen për të vendosur fatin e zv/kryeministres.

“Zbatoni ligjin dhe rregulloren dhe thërrisni menjëherë në fillim të javës mbledhjen e Këshillit të Mandateve, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë, për të dëgjuar argumentet dhe mbrojtjen që ka për të dhënë Belinda Balluku, si dhe për t’ia referuar seancës plenare vendimmarrjen për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut”, ishte thirrja e kreut të Grupit Parlamentar të PD.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)