Thirrje për mobilizim total dhe përshkallëzim të protestave opozitare. Nga “Foltoria” e kësaj të hëne përballë Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shpalli 10 shkurtin si ditën e asaj që ai e cilësoi “kryengritje paqësore” kundër qeverisë, duke paralajmëruar se protestat do të vijojnë deri në fitore.
Berisha deklaroi se vala e protestave ka tronditur themelet e pushtetit dhe ka diskredituar kryeministrin Edi Rama brenda dhe jashtë vendit. “Zëri ynë ka tronditur në themel këtë regjim. Edi Rama sot është më i diskredituar se kurrë”, u shpreh ai, duke i bërë thirrje qytetarëve të bashkohen masivisht kundër asaj që e cilësoi regjim antishqiptar.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi Ramën se ka shndërruar Shqipërinë në një qendër të trafikut të drogës, duke theksuar se beteja e opozitës është për dinjitetin kombëtar. “Nuk pajtohemi me një regjim që e ka shndërruar Shqipërinë në portën kryesore të helmeve të drogës. Kjo betejë është për dinjitetin tonë, dinjitetin kombëtar”, deklaroi ai.
Kreu i PD-së theksoi se opozita nuk do të ndalet përballë vështirësive dhe se qëllimi final mbetet përmbysja e qeverisë. “Nuk e kemi të lehtë, por jemi të vendosur. Në protesta do dalim deri në fitore”, tha Berisha.
Ai ftoi qytetarët nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora që më 10 shkurt të zbresin në rrugët dhe sheshet e Tiranës, duke e quajtur këtë datë moment kyç të përballjes politike. “10 shkurti është dita tjetër e kryengritjes tonë paqësore”, theksoi Berisha.
Berisha sulmoi edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke paralajmëruar se askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë. “Nuk mbrohet Rama, nuk mbrohet Balluku, nuk mbrohet organizata e tyre kriminale”, u shpreh ai, ndërsa pati edhe një thirrje për forcat e rendit që të shmangin përplasjet me protestuesit dhe të mos zbatojnë urdhra të paligjshëm.
Berisha iu drejtua edhe të rinjve, duke i cilësuar si shpresën dhe motorin e ndryshimit, nga të cilët, sipas tij, pritet “drita e fitores”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)