Kryeministri Edi Rama ka reaguar për të dytën herë mbi situatën e krijuar me disa rrugë në vend, të cilat kanë pësuar çarje dhe dëmtime në javën që lamë pas, ku situata më e rënduar paraqitet në aksin Librazhd-Pogradec.
Pas reagimit të parë që u bë nga helikopteri, që e transportoi kreun e ekzekutivit nga Tirana në Korçë dy ditë më parë, ku tha se është “ligësi dhe padije e thellë t’ia faturosh qeverisë problemet me aksin Përrenjas-Librazhd”, pasi sipas tij kemi të bëjmë me një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, Rama ka zgjedhur të reagojë me një postim në platformën ‘X’.
Duke shpërndarë një video nga Portugalia, që tregon një rrugë të shkatërruar si pasojë e rrëshqitjes së dheut, Rama shkruan me ironi se është e pabesueshme si asnjë opozitar portugez nuk ka denoncuar në organet ligjzbatuese në Lisbonë për korrupsion me këtë aks rrugor, ashtu siç sipas tij bën PD në Tiranë.
“Çudi e madhe, në Portugali ka ndodhur kjo nga të njëjtat fenomene, po s’po e marr vesh se mirë opozita portugeze është në gjumë, mirë edhe ato pak tenxhere mediatike të Portugalisë janë me temperaturë të ulët e s’ka vend për gjithë këtë rrugë të re, po si ka mundësi që opozitat e këtushme nuk e kanë denoncuar akoma në SPAK këtë vepër të korrupsionit dhe si është e mundur që 700 tenxheret e flakta të mexhelisit tonë mediatik, nuk kanë thirrur gjithollogët e tyre që të jashtënxjerrin faktet e tmerrshme që fshihen nën asfaltin e këtij korrupsioni qeveritar, ku padyshim është dora e narkoshtetit shqiptar!”, shkruan Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)