Pa prezencën e Belinda Ballukut, Elisa Spiropalit dhe Pirro Vengut, vetëm 30 minuta ka zgjatur mbledhja e qeverisë që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa orë pasi riformatoi kabinetin, me 7 ndryshime vetëm 9 muaj pasi fitoi mandatin e katërt për të drejtuar vendin.
Në mbledhjen e sotme që konfirmoi ndryshimet e komunikuara nga Rama dje në mbledhjen e Grupit të PS morën pjesë vetëm ministrat e kabinetit të vjetër qeverisës, me mungesën e treshes Balluku, Spiropali, Vengu.
Pas mbledhjes së shkurtër të Këshillit të Ministrave, Rama i është drejtuar Vilës 30, ku pritet të zhvillojë një intervistë për median italiane 'Rai'.
Mbrëmjen e djeshme, kreu i ekzekutivit njoftoi ndryshime në nivel ministrash vetëm 6 muaj pas betimit të qeverisë “Rama 4”.
Belinda Balluku, e cila është në qendër të vëmendjes për shkak të hetimit nga SPAK, por edhe për faktin se pezullimi i saj solli përplasje mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, u shkarkua nga detyra si zv/kryeministre dhe Ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Enea Karakaçi është emëruar Ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës, ndërsa zv/kryeministrja e re e vendit do të jetë Albana Koçiu.
Ajo i lë vendin në krye të Ministrisë së Brendshme, Besfort Lamallarit, ndërsa këtë të fundit në krye të Ministrisë së Drejtësisë do ta zëvendësojë Toni Gogu. Sakaq, Eriona Ismaili do të pasojë Gogun si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Nga detyra u shkarkua edhe Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila do të pasohet në detyrë nga ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.
Shefi i qeverisë ka shkarkuar po ashtu nga detyra ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, duke emëruar në vend të tij Ermal Nufin.
Emrat e rinj pritet t’i dërgohen për dekretim në Presidencë dhe më pas për miratim në Kuvend.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)