Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj dhe të reja studentë, me të cilët foli për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE dhe të mirat që përfitojnë ata kur vendi të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane.
Duke u fokusuar vetëm te arsimi dhe punësimi për të shpjeguar më mirë procesin për bashkëbiseduesit, kryeministri deklaroi se anëtarësimi në BE, i bën të gjithë të rinjtë qytetarë të barabartë të Evropës duke iu hapur mundësi të reja shkollimi dhe punësimi.
Sipas kreut të qeverisë, detyrat e integrimit duhet të përmbyllen sa më shpejt duke qenë se dyert e BE janë të hapura për Shqipërinë.
“Shumëkujt i duket sikur ne jemi në Evropë për sa kohë lëvizim lirisht, vendosim të largohemi, të punojmë në Evropë dhe të tjerat nuk kanë lidhje për ne. Ky proces është i tillë që sa më shumë ta ndjekësh aq më shumë mëson se sa larg është një vend që nuk është brenda në BE. Patjetër që mund të vendosni të studioni jashtë, por në momentin që kaloni kufirin pa vizë jeni të huaj. Edhe kur hyni në pragun e një universiteti evropian trajtoheni si të huaj. Nuk trajtoheni si studentë evropianë, paguani më shumë... Nëse doni të keni akses në të gjitha shërbimet, jeni të huaj, prapë paguani më shumë. Me anëtarësimin në BE kjo ndryshon, ju bëheni vendas si në Tiranë si në Lisbonë.
Nuk keni vështirësi për akses në shërbime dhe nuk jeni të huaj për tregun e punës. Dhe mund ta zgjidhni punën jo vetëm brenda Shqipërisë, por në çdo qytet të Evropës si vendas. Kjo është një përpjekje që ka kuptim dhe inpakt të drejtpërdrejt. Pastaj pjesa tjetër ka të bëjë me sa shumë gjëra vijnë këtu për universitetin, laboratorët, për ju, duke qenë vendas të BE. Nuk bëhet fjalë për një kapërcim formal të një statusi të vendit, por për një ndryshim thelbësor. Asnjëherë Shqipërisë nuk i ka buzëqeshur fati në kuadër të të ardhmes së mundshme dhe për të pasur një kontinent të tërë si vendas” u shpreh Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)