“Bonusi i pensionistëve sa 2 kg domate në muaj”, Berisha akuza Ramës: Pagat më të ulëta në rajon

Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Berisha e cilësoi bonusin për pensionistët si minimal dhe të papërfillshëm, ndërsa theksoi se pagat në Shqipëri mbeten më të ulëtat në rajon.

12.04.2026. 19:18

“Bonusi i pensionistëve sa 2 kg domate në muaj”, Berisha akuza Ramës: Pagat më të ulëta në rajon

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për ato që i quajti mashtrime lidhur me rritjen e pagave dhe pensioneve në vend.

Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Berisha e cilësoi bonusin për pensionistët si minimal dhe të papërfillshëm, ndërsa theksoi se pagat në Shqipëri mbeten më të ulëtat në rajon.

“Në monologun e tij të mashtrimit javor, Edi Rama sërish u rrek, u përpoq t'ju bindë ju se ka rritur në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet. E vërteta është që bonusi i pensioneve për 690 mijë pensionistë është ndër më qesharakët. Janë 2 kile domate në muaj. Kjo është shtesa e pensioneve sipas qeverisë aktuale”, tha ai.

Berisha deklaroi se, sipas tij, situata ekonomike në vend është përkeqësuar, duke shtuar se emigrimi masiv mbetet një nga problemet më të mëdha. Ai iu referua të dhënave të Eurostat për të argumentuar këtë fenomen.

“Ju rikujtoj të dashur shqiptarë të diasporës se vetëm në 10 vite të qeverisjes së tij, nga ky vend janë larguar 1.099.000 shqiptarë sipas Eurostatit dhe të gjithë këta vetëm në zonën e Shengenit, pa llogaritur zona të tjera. Pra të paktën 45 deri në 47% të shqiptarëve u larguan nga Shqipëria dhe sot Shqipëria ka atë lindshmëri që kishte 100 vite më pare”, u shpreh kreu i PD.

Në vijim, lideri demokrat vuri në dyshim edhe shifrat e qeverisë për investimet e huaja, duke pretenduar se një pjesë e madhe e tyre nuk janë investime të reja reale.

“Duhet të theksoj se nga këto 1.6 miliardë euro sipas INSTAT-it, 800 milionë nuk janë investime të huaja, por janë reinvestime të parave shqiptare nga kompanitë e huaja që punojnë në Shqipëri. S'kanë asnjë gjë të përbashkët me investimin e huaj.”

Ai shtoi se investimet direkte kanë rënë ndjeshëm, ndërsa ekonomia ndodhet në vështirësi.

“Pra investimet e vërteta direkte në Shqipëri kanë rënë në nivelet e viteve 2004-2008 dhe janë ndër më të ultat e kohës. Sigurisht, blerja e apartamenteve është një investim, por një investim pa frut, i cili nuk sjell punësim, nuk sjell prodhim.”

Në fund të deklaratës, Berisha akuzoi qeverinë për rënie të prodhimit dhe eksporteve, duke theksuar se rritja ekonomike, sipas tij, nuk është e qëndrueshme.

“Prodhimi industrial është në recesion, prodhimi bujqësor është në recesion, eksportet kanë rënie dramatike. Ekonomia, rritja me të cilin rreh gjoksin Edi Rama, është një rritje që diktohet tërësisht nga taksat e larta dhe numri i madh i rrogëtarëve në borderot e shtetit.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)