Gara për kreun e PD, një mjeke sfidon Sali Berishën, Salianjit dhe Balliut iu mbyllet dera

Mjekja Mereme Sela do të sfidojë Sali Berishën në garën për kryetar të Partisë Demokratike, pasi zyrtarisht ka dorëzuar dokumentacionin e kandidimit në selinë blu. Dera e selisë blu i është mbyllur përfaqësuesve të Ervin Salianjit dhe Alesia Balliut, por të dy do të dorëzojnë aplikimin me postë.

30.04.2026. 11:07

Gara për kreun e PD, një mjeke sfidon Sali Berishën, Salianjit dhe Balliut iu mbyllet dera

Sali Berisha ka njohur rivalin e parë në garën kryetarin e Partisë Demokratike. Mjekja Mereme Sela do të sfidojë ‘Doktorin’, pasi zyrtarisht ka dorëzuar dokumentacionin e kandidimit në selinë blu.

Sela, e cila është mjeke epidemiologe në QSUT, foli për mediat pas dorëzimit të kandidaturës, duke deklaruar se ka cilësitë e duhura për të drejtuar demokratët.

“Jam një nga personat me backround-in e duhur për të garuar për kreun e PD-së. Pse kam marrë 43 vota në primare? Kam qenë e vetmja që kam thënë të grupi që të mblidhemi para anëtarësisë dhe të prezantojmë programin, një gjë e tillë nuk është bërë. I kam lexuar kriteret dhe i plotësoj.Kam shumë respekt për doktorin sepse e kam koleg, profesor. Unë betejën e kam, nëse popullit dhe anëtarësisë i intereson një person me figurë të pastër, e papërlyer, pa asnjë lloj impakti për të gjithë shqiptarët, jam unë. Po të duan le të më votojnë. Dy shtyllat kryesore janë shëndetësia dhe arsimi”, deklaroi ajo.

Teksa orari zyrtar përfundon në orën 12:00, ish-deputetit demokrat Ervin Salianji dhe aktivistes opozitare Alesia Balliu, dy figura që kanë pasur përplasje me kupolën drejtuese të Partisë Demokratike në vitin e fundit dhe kanë shprehur interes për kandidimin, u është mbyllur dera e selisë blu.

Përfaqësuesit ligjorë të Salianjit dhe Balliut janë paraqitur fizikisht në ambientet e PD por nuk janë lejuar të dorëzojnë aplikimin. Të dy kanë bërë sakaq me dije se do të dorëzojnë dokumentacionin përmes postës dhe rrugëve elektronike.

Për më tepër, Alesia Balliu reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale duke e cilësuar Sali Berishën si frikacak dhe me ironi thotë se një burrë veriu po koritet në moshën e tij më të keqe.

“Berishë Frikacaku! Berishë burrat në veri nuk i shmangen garës dhe nuk i druhen përballjes përkundrazi, e kërkojnë atë. Por sot, ajo që po ndodh brenda Partisë Demokratike është zhgënjyese. Kam dorëzuar një kërkesë zyrtare për të hyrë në garën për kreun e PD-së, dhe askush nuk po e merr përsipër ta pranojë. Ky nuk është thjesht një refuzim është një tregues i qartë i mungesës së transparencës dhe garës së ndershme. Berishë gjithmonë ka një moshë të koritesh por ti zgjodhe moshën më të keqe. PD do ju kthehet demokratëve mos e harro kurrë, nuk do e gëzosh atë parti Sali Berisha”, shprehet Balliu.

Sakaq aktivistes që jeton e vepron në SHBA, Evi Kokalari nuk i është pranuar kandidimi me zarf dhe pritet ta dorëzojë atë me postë dhe përmes e-mailit, siç ajo vetë bën me dije përmes një reagimi në rrjetet sociale.

“Në orën 9:30 AM, avokati im në Tiranë ka shkuar në selinë e PD-së për të dorëzuar dosjen e aplikimit dhe roja nuk e ka lënë të hyjë brenda, por i ka komunikuar, pasi ka folur me dikë brenda, që: “nuk pranojmë zarfe.” Ndërkohë, avokati ua ka bërë të qartë që është aplikimi im. Do ta nisim me DHL dhe do t’ua dërgojmë atyre që duhet, me tekst dhe email përpara afatit të skadencës. Clowns!!!”, shkruan Kokalari.

Ndërkohë për garën e 23 majit, Partia Demokratike, 24 orë para përfundimit të afatit për dorëzimin e aplikimit, nxori një udhëzim, ku nënvizohet se ju ndalohet kandidimi personave të dënuar me vendim të formës së prerë. Kjo pikë në udhëzim duket se i mbyll përfundimisht derën e PD, Ervin Salianjit, i cili qëndroi një vit pas hekurave në burgun e Fierit pas dënimit për çështjen “Babale”. 

Sipas udhëzimit, kandidatët në garë duhet të jenë anëtar të Partisë Demokratike, figura me profil shumë të lartë publik dhe politik, si dhe me angazhim politik dhe elektoral të paktën 10-vjeçar në Partinë Demokratike.

Gjithashtu nënvizohet se një kandidat duhet ketë eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar/rajonal në betejat politike të Partisë Demokratike, për kauza qytetare dhe politike, por edhe të plotësojë kriteret e zgjedhshmërisë sipas ligjit nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)