Gjysma e shqiptarëve jashtë vendit! Zbulohen shifrat, sa e madhe është Diaspora shqiptare?

Diaspora e re shqiptare llogaritet në rreth 2.25 milionë shtetas jashtë vendit, ose rreth 49% e shtetasve shqiptarë gjithsej. Konkretisht, jashtë territorit të Shqipërisë përllogaritet se jetojnë mbi 2 milionë e 250 mijë individë.

16.02.2026. 14:44

Gjysma e shqiptarëve jashtë vendit! Zbulohen shifrat, sa e madhe është Diaspora shqiptare?

Diaspora shqiptare vijon të mbetet një nga fenomenet më të rëndësishme demografike dhe socio-ekonomike për vendin.

Edhe pse nuk ekziston një shifër plotësisht e saktë për shkak të kompleksitetit që e karakterizon këtë dukuri, Dhoma e Biznesit të Diasporës duke iu referuar të dhënave më të fundit të  Institutit të Statistikave për vitin 2025 hedh dritë mbi përmasat aktuale të saj, përmes një postimi në Facebook.

Sipas tyre, diaspora e re shqiptare llogaritet në rreth 2.25 milionë shtetas jashtë vendit, ose rreth 49% e shtetasve shqiptarë gjithsej. Konkretisht, jashtë territorit të Shqipërisë përllogaritet se jetojnë 2.256.346 individë.

Nëse do të bënim një ndarje sipas gjinisë, Dhoma e Biznesit të Diasporës nënvizon se kemi 1.177.529 meshkuj dhe 1.078.817 femra në përbërjen e diasporës shqiptare.

Profili i diasporës shqiptare rezulton të jetë kryesisht i ri dhe ekonomikisht aktiv pasi 18% i përkasin grupmoshës 0–14 vjeç, 77% janë të grupmoshës 15–64 vjeç dhe vetëm 5% janë mbi 65 vjeç.

Këto të dhëna tregojnë se pjesa dërrmuese e diasporës përbëhet nga individë në moshë pune, çka e bën atë një kapital njerëzor me potencial të lartë ekonomik dhe profesional.

Ekspertët vlerësojnë se përtej shifrave, diaspora shqiptare përfaqëson një burim të rëndësishëm kontributesh për zhvillimin e vendit përmes remitancave, investimeve, transferimit të njohurive dhe rrjeteve profesionale ndërkombëtare.

Në një kohë kur dinamika migratore mbetet e lartë, përfshirja strategjike e diasporës shihet si një nga prioritetet kyçe për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)