Liqeni i Shkodrës në pritje të statusit ndërkombëtar të UNESCO-s

Procesi nisi si një iniciativë e shoqërisë civile dhe u zhvillua në bashkëpunim ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, me mbështetjen e Bashkimit Europian.

27.02.2026. 13:09

Liqeni i Shkodrës në pritje të statusit ndërkombëtar të UNESCO-s

Në kuadër të programit të UNESCO-s, “Njeriu dhe Biosfera”, i cili promovon balancimin e ruajtjes së natyrës me zhvillimin ekonomik, liqeni i Shkodrës është drejt momentit vendimtar për t’u shpallur Rezervë Ndërkufitare e Biosferës. Procesi nisi si një iniciativë e shoqërisë civile dhe u zhvillua në bashkëpunim ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, me mbështetjen e Bashkimit Europian.

Projekti, i quajtur “Zona e Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës”, u koordinua nga Qendra EDEN dhe Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura, duke përfshirë partnerët e Malit të Zi. Sipas koordinatores së projektit Ersë Prifti, procesi u ndërtua mbi konsultime me komunitetet lokale dhe ekspertët, duke krijuar një standard të ri menaxhimi që nuk kufizohet vetëm në vendime qendrore, por përfshin aktorët lokalë dhe strukturat e tyre.

Liqeni i Shkodrës, liqeni më i madh i Ballkanit, është i njohur për statusin Ramsar që nga viti 2005 dhe konsiderohet një nyje kyçe migrimi për mbi 280 lloje shpendësh dhe 25 lloje habitatesh të mbrojtura. Biologia Aurora Piroviç nënvizon rëndësinë e menaxhimit të koordinuar ndërkombëtar, pasi shpendët nuk njohin kufij shtetërorë.

Ndërkohë, drejtuesi i Zonave të Mbrojtura, Agim Dardha shpjegoi se programi i UNESCO-s synon harmonizimin e jetës njerëzore me natyrën, dhe jo izolimin e territorit. Rezerva e Biosferës shërben si model ku zhvillimi ekonomik dhe natyra bashkëjetojnë në ekuilibër. Dosja për Liqenin e Shkodrës u dorëzua në UNESCO në shtator 2025 dhe aktualisht është në proces vlerësimi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)