Bayern Munich ka barazuar 1-1 në transfertë ndaj Bayer Leverkusen në BayArena, në një ndeshje të tensionuar ku bavarezët e mbyllën takimin me dy lojtarë më pak.
Vendasit kaluan në avantazh shumë shpejt, që në minutën e 6-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga Patrik Schick, topi shkoi te Aleix García, goditja e të cilit devijoi nga ish-mbrojtësi i Leverkusenit, Jonathan Tah, duke përfunduar në rrjetë dhe duke mposhtur portierin Sven Ulreich.
Situata u vështirësua për bavarezët kur Nicolas Jackson u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Martin Terrier, duke lënë ekipin e drejtuar nga Vincent Kompany me 10 lojtarë.
Megjithatë, Bayern arriti të rikthehej në lojë në minutën e 69-të. Një gabim në pasim nga Robert Andrich u shfrytëzua nga Michael Olise, i cili asistoi për Luis Díaz, që dërgoi topin në rrjetë për barazimin 1-1.
Në minutat e fundit, situata u komplikua edhe më shumë për mysafirët, pasi Díaz u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për simulim, duke lënë Bayern me nëntë lojtarë në fushë. Pavarësisht presionit të Leverkusenit, bavarezët arritën ta ruanin barazimin deri në fund të ndeshjes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)