Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur këtë sezon në futbollin europian, ku një lojtar 18-vjeçar ka arritur të fitojë dy tituj kampion në të njëjtin edicion sportiv. Bëhet fjalë për Dro Fernandez, spanjollin me origjinë filipinase, i cili aktualisht luan për Paris Saint-Germain. Ai ka arritur të shpallet kampion si në Spanjë me Barcelonën, ashtu edhe në Francë me PSG-në.
Nga Barcelona te PSG në janar
Në fillim të sezonit, Dro Fernandez ishte pjesë e akademisë së Barcelonës “La Masia” dhe konsiderohej një nga talentet më premtues. Ai debutoi me ekipin e parë në La Liga më 28 shtator, në ndeshjen e fituar 2-1 ndaj Real Sociedad, duke marrë minuta edhe në Champions League. Por në fund të merkatos së janarit, mesfushori ofensiv u transferua te PSG për rreth 8 milionë euro, ku u aktivizua në Ligue 1 dhe në Champions League.
Si i fitoi të dy kampionatet?
Barcelona më pas fitoi titullin kampion në Spanjë, ndërsa PSG u shpall kampion në Francë, duke bërë që Dro Fernandez të përfitojë dy medalje kampioni. Sipas rregullores së kampionatit spanjoll, një lojtar konsiderohet kampion nëse ka luajtur të paktën një minutë me ekipin që fiton titullin. Fernandez ka zhvilluar gjithsej 89 minuta me Barcelonën, çka i mjaftoi për t’u shpallur kampion. Me PSG-në ai luajti 11 ndeshje në kampionat dhe madje shënoi edhe një gol ndaj Nicës, për një total prej 637 minutash aktivizim. Ai ishte pjesë e ekipit edhe në ndeshjen ndaj Lens, që i dha PSG-së titullin e 14-të kampion në historinë.
Nuk është rasti i parë
Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe sezonin e kaluar, po me PSG-në. Protagonist ishte Khvicha Kvaratskhelia, i cili e nisi sezonin me Napolin në Itali dhe u transferua në janar në Paris, duke fituar më pas edhe Ligue 1. Ndërkohë, Dro Fernandez mund ta mbyllë sezonin edhe më madhështor, pasi PSG luan më 30 maj në Budapest në finalen e Champions League ndaj Arsenalit, ku 18-vjeçari mund të synojë edhe trofeun më të rëndësishëm ndërkombëtar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)