Lamallari pas operacionit në Sarandë: Nuk ka vend në polici për ata që bashkëpunojnë me krimin

Ministri shtoi se çdo rast i dyshuar për abuzim do të trajtohet me “zero tolerancë” dhe paralajmëroi se punonjësit që shkelin ligjin do të identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë.

16.05.2026. 12:34

Lamallari pas operacionit në Sarandë: Nuk ka vend në polici për ata që bashkëpunojnë me krimin

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar pas operacionit të zhvilluar në Sarandë, ku u godit një grup i dyshuar për përfshirje në ndërtimet pa leje dhe për bashkëpunim të mundshëm me elementë kriminalë. Në kuadër të hetimeve u arrestuan drejtues dhe punonjës policie.

Në deklaratën e tij, Lamallari vlerësoi operacionin e zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, duke theksuar se ndërhyrja tregon vendosmërinë për të goditur çdo rast abuzimi brenda radhëve të uniformave blu. Ai u shpreh se në Policinë e Shtetit nuk do të ketë hapësirë për efektivë që bashkëpunojnë me shkelësit e ligjit apo dëmtojnë besimin e qytetarëve.

“E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit. Në çdo rast abuzimi, nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementë kriminalë, do të ketë zero tolerancë”, u shpreh ministri Lamallari.

Ai shtoi se çdo rast i dyshuar për abuzim do të trajtohet me “zero tolerancë”. Në fund edhe një paralajmërim se, punonjësit që shkelin ligjin do të identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)