Gjatë komunikimit të zakonshëm në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se protestat e opozitës kanë pasur rol vendimtar në mbajtjen në vëmendje të çështjeve që lidhen me qeverinë, duke përfshirë AKSHI-n dhe zv.kryeministren Belinda Balluku. Ai u shpreh se përmes këtyre reagimeve nuk është lejuar që këto tema të “zhduken nga debati publik”, duke shtuar se opozita do të vijojë aksionin e saj politik.
“Ne jemi në këmbë dhe do të vazhdojmë protestën paqësore deri në fund, deri në largimin e këtij regjimi. Nëse nuk do të ishin këto protesta, Shqipëria do të dukej si një vend i nënshtruar nga një grup që abuzon me pushtetin. Ju ftoj të qëndrojmë të palëkundur”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi gjithashtu se protestat kanë pasur ndikim edhe në arenën ndërkombëtare, duke sjellë vëmendje ndaj situatës politike në vend. Berisha shtoi se opozita duhet të vijojë në të njëjtin drejtim, duke përmirësuar organizimin, por pa ndalur aksionin. “Kemi arritur të tregojmë se nuk pajtohemi me këtë realitet politik. Kjo është një betejë në vazhdim dhe ka pasur jehonë edhe jashtë vendit”, deklaroi ai.
Në një tjetër pjesë të deklaratave të tij, kreu i PD-së u ndal edhe te figura e Ballukut, duke e cilësuar atë si “kryeministre në hije”, ndërsa përsëriti qëndrimin e tij kritik ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. “Rama është i damkosur politikisht dhe i dobësuar. Kjo situatë është rezultat edhe i reagimit opozitar që ka mbrojtur dinjitetin e vendit”, tha Berisha, duke shtuar se opozita mbetet e vendosur në përballjen me qeverinë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)