Atentati i dështuar në Rranxë: SPAK çon në gjyq anëtarët e grupit “Bajri”, por edhe Aleksandër Prendin

Dosja është depozituar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndërsa në këtë çështje janë marrë të pandehur katër persona.

16.05.2026. 11:16

Atentati i dështuar në Rranxë: SPAK çon në gjyq anëtarët e grupit “Bajri”, por edhe Aleksandër Prendin

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 220 të vitit 2024, që lidhet me një atentat të dyshuar ndaj Aleksandër Prendit në fshatin Rranxë, në Bashkinë Vau i Dejës. Dosja është depozituar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndërsa në këtë çështje janë marrë të pandehur katër persona: Aleksandër Prendi, Franko Leka, Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani.

AKUZAT NDAJ TË PANDEHURVE

-Aleksandër Prendi akuzohet për:

“Vrasje në rrethana cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë (në dëm të Izmir Sakicës, Franko Lekës dhe Samuel Troshanit)

“Mbajtje pa leje e armëve luftarake”

-Franko Leka, Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani akuzohen për:

“Sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të Aleksandër Prendit

“Mbajtje pa leje e armëve luftarake”

“Grup i strukturuar kriminal”

“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”

DETAJE NGA NGJARJA

SPAK sqaron se ngjarja ka ndodhur më 23 gusht 2028, rreth orës 17:00 kur të pandehurit së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar janë nisur me tre automjete të blinduara nga zona e Dobraçit drejt fshatit Rranxë, ku ndodhej banesa e Aleksandër Prendit. Sipas hetimeve, personat ishin të armatosur dhe dyshohet se kishin si qëllim eliminimin fizik të Prendit, ndërsa motivi lidhet me konflikte të mëparshme.

Në vendngjarje ka pasur shkëmbim zjarri, por nuk raportohet për të plagosur, vetëm për dëme në automjete. SPAK thotë se provat tregojnë se Aleksandër Prendi ka qëlluar në drejtim të të paktën dy ose më shumë personave, me qëllim vrasjen e tyre, duke e lënë ngjarjen në fazën e tentativës.

AUTOMJETET E DËMTUARA

Nga shkëmbimi i zjarrit janë dëmtuar disa mjete, përfshirë:

-një Audi A8 i blinduar me targa gjermane SWAG276, i gjetur në vendngjarje i fikur

-një tjetër Audi A8 me targa AA021RU, në pronësi të Franko Lekës, i cili më pas është sekuestruar dhe rezultoi me dëmtime nga armët e zjarrit

-një Mercedes Benz S600 i blinduar me targa AB857LV, që u largua nga vendi i ngjarjes dhe më vonë u ndalua nga policia, duke u drejtuar nga Safet Bajri

-një BMW me targa AB216LL, i marrë me qira nga Aleksandër Prendi, i cili u gjet gjithashtu i dëmtuar

HETIMET VIJOJNË PËR PERSONA TË TJERË

Megjithëse SPAK ka dërguar çështjen për gjykim, një pjesë e personave të përfshirë në këtë ngjarje vijojnë të mbeten të paidentifikuar. Prokuroria njofton se hetimet vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht rolin e secilit dhe për të zbardhur të gjithë dinamikën e atentatit të dështuar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)