Nga 10 qershori nis amnistia fiskale: fshihen borxhe tatimore e doganore, ja kush përfiton dhe kushtet

Ligji ndan detyrimet në tre kategori kryesore kohore, ku borxhet më të vjetra përfitojnë falje të plotë, ndërsa për vitet më të afërta kërkohet pagesë brenda afateve të përcaktuara.

16.05.2026. 10:57

Nga 10 qershori nis amnistia fiskale: fshihen borxhe tatimore e doganore, ja kush përfiton dhe kushtet

Administrata Tatimore ka bërë të ditur se duke nisur nga 10 qershori 2026 do të hyjë në fuqi skema e re për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve të prapambetura tatimore dhe doganore, një proces që pritet të sjellë lehtësim për mijëra biznese. Masat parashikohen në ligjin nr. 86/2025, i cili përcakton falje të plotë ose të pjesshme të detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave, në varësi të periudhës kur është krijuar borxhi.

Sipas Tatimeve, procedura do të jetë e automatizuar dhe e realizuar në mënyrë të digjitalizuar. Institucioni sqaron se brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit përkatës do të hartohen listat e subjekteve që përfitojnë dhe atyre që përjashtohen, ndërsa njoftimi do të dërgohet përmes sistemit “e-Filing”.

Më pas do të vijojë automatikisht edhe procesi i kompensimit të tepricave kreditore të TVSH-së apo tatimeve të tjera me detyrimet ekzistuese. Ligji ndan detyrimet në tre kategori kryesore kohore, ku borxhet më të vjetra përfitojnë falje të plotë, ndërsa për vitet më të afërta kërkohet pagesë brenda afateve të përcaktuara.

Për detyrimet deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet falje totale e detyrimeve, duke përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë vetëm detyrimet kryesore të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat nuk falen. Për detyrimet nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019 gjobat dhe kamatëvonesat hiqen plotësisht, ndërsa për detyrimin bazë (principalin) falja është e pjesshme, në varësi të pagesës: Falet 50% e principalit, nëse pjesa tjetër paguhet brenda 30 qershorit 2026, falet 25% e principalit, nëse 75% e mbetur paguhet deri më 31 dhjetor 2026

Për detyrimet nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024 nuk falet principal, por hiqen plotësisht gjobat dhe kamatëvonesat vetëm nëse pagesa e detyrimit bazë kryhet 100% brenda periudhës 10 qershor - 31 dhjetor 2026. Ligji përfshin gjithashtu falje për një sërë penalitetesh administrative të krijuara deri në fund të vitit 2024. Përfitojnë subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate, me përjashtim të sigurimeve.

Gjithashtu do të falen gjobat për deklarime të vonuara ose të padërguara, nëse ato dorëzohen deri më 30 qershor 2026. Në të njëjtën linjë janë edhe gjobat për vonesa në pasqyrat financiare, si dhe penalitetet që lidhen me ndryshime të listëpagesave me efekt prapaveprues.

Administrata Tatimore ka theksuar se nga kjo amnisti përjashtohen subjektet që kanë vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale tatimore apo doganore, si dhe ata që janë aktualisht nën hetim për këto vepra. Ndërkohë, për subjektet që kanë çështje të hapura në proces ankimi administrativ apo gjyqësor, përfitimi është i mundur vetëm nëse ato heqin dorë zyrtarisht nga ankimimi. Kërkesa për heqje dorë duhet të depozitohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore nga 10 qershori deri më 30 nëntor 2026.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)