Në Sarandë është zhvilluar një operacion i Policisë së Shtetit, që ka çuar në arrestimin e 8 personave, ndërsa 4 punonjës policie janë ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas dyshimeve për përfshirje në lejimin e ndërtimeve të paligjshme në një zonë bregdetare. Hetimet lidhen me një pronë ku po kryheshin punime për ngritjen e një strukture të tipit “beach bar”, e planifikuar për sezonin veror.
Kjo pronë ka qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili është vrarë më herët në tetor 2025 pas shpërthimit me tritol, të vendosur në automjetin e tij. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, dyshohet se një grup kriminal me bazë në zonën e Kamzës mund të jetë i përfshirë jo vetëm në këtë atentat, por edhe në ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në Sarandë.
Në terrenin ku po zhvillohej ndërtimi, dyshohet se prona është marrë me forcë dhe më pas është përdorur për aktivitet ndërtimor të paligjshëm, duke përfshirë struktura që shtriheshin edhe në vijën bregdetare. Po ashtu, hetuesit po verifikojnë pretendime për përfshirje të zyrtarëve të policisë në këto zhvillime.
Mes tyre përmenden shefi i komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, si dhe tre efektivë të tjerë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj, të cilët janë ndaluar në kuadër të hetimit. Operacioni është ndërmarrë pas disa denoncimeve të mbërritura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që sinjalizonin ndërhyrje dhe punime të paligjshme në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar.
Sipas verifikimeve, objekti i konstatuar përbëhej nga disa struktura ndërtimore, disa prej të cilave ishin ngritur në afërsi ose mbi vijën e plazhit. Ndërkohë, një shtetase është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kishte në posedim hapësirën e plazhit dhe se ndërtimet po realizoheshin në emër të saj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)